Ligji gjerman për kontrollin e zinxhirëve të prodhimit prek edhe bizneset shqiptare

Ligji gjerman për kontrollin e detyrueshëm për zinxhirët e prodhimit do të mund të ushtrojë presion edhe mbi të drejtat e punëtorëve dhe çështjet mjedisore në Shqipëri.

Në një forum të organizuar nga fondacioni gjerman ‘Friedrich Ebert” në Tiranë, u bënë bashkë përfaqësues të sindikatave, kompanive fason, organizatave që merren me çështjet e punëtorëve dhe diskutuan mbi format se si do të ndikojë ky ligj në vendin tonë.

Drejtuesja e fondacionit “Friedrich Ebert” në Tiranë, Stine Klapper u shpreh se tanimë është mundësia që ky ligj të jetë edhe në nivel të Bashkimit Evropian, ndërsa do të krijojë mundësi të reja për të ushtruar presion edhe mbi çështjet punëtore në Shqipëri.

“Është diçka e re sepse i cakton përgjegjësitë përgjatë zinxhirit të furnizimit në një mënyrë shumë më të kujdesshme se çka qenë në të kaluarën. Po ashtu ka potencialin për tu bërë një mjet për qendrueshmërinë dhe përputhshmërinë. Do ti detyrojë kompanitë të sigurohen që standardet e tyre për punëtorët dhe për mjedisin të respektohen në çdo aktivitet që lidhet me biznesin e tyre.”-deklaroi Stine Klapper.

Ky ligj u miratua në Gjermani në vitit 2021 dhe hyri në fuqi në vitin 2023. Ligji u kërkon kompanive që të shmangin dhe minimizojnë rreziqet që u kanosen të drejtave të njeriut dhe mjedisit në zinxhirët e tyre të prodhimit. Ndërsa në Shqipëri ky ligj do të krijojë përmirësimin e pozicionit në zinxhirin e prodhimit për kompanitë vendase që janë edhe furnitorë të drejtpërdrejta apo të tërthorta të kompanive gjermane.

Zëvendës ambasadori gjerman në Tiranë, Thilo Schroeter theksoi në fjalën e tij se ky diskutim për kujdesin në të gjithë zinxhirët e furnizimit është shumë i rëndësishëm, duke renditur arsyet se pse preket edhe Shqipëria nga ky ligj.

Pyetjet që shumë biznese mund të kenë është se nëse kjo tani është një pengesë për kompanitë shqiptare që duan të bëjnë biznes me partnerët gjermanë? Mendoj që përgjigjja është jo dhe mendoj se ky ligj, ligji gjerman, ofron një sërë mundësish për Shqipërinë dhe bizneset shqiptare. Së pari shumë standarde, sociale dhe mjedisore që kërkohen tani nga furnizuesit në Shqipëri janë të njëjta, të të njëjtit nivel me ato që do të kërkohen nga anëtarësimi në BE. Kështu që duke i miratuar këto standarde tani, i jep kompanive një avantazh krahasuar me kompanitë e tjera, duke adoptuar paga të larta, kushte të sigurta pune, kushte të dinjitetshme në punë dhe standarde mjedisore”.

Gjermania është partneri i katërt tregtar më i madh për Shqipërinë, ku kompanitë gjermane operojnë kryesisht në degët e tregtisë dhe logjistikës.

Të drejtat e punëtorëve në Shqipëri dhe ndikimi i ligjit gjerman

Sipas studimeve të kryera në fushën e punëtorisë, zbatimi i ligjit të punës në Shqipëri mbetet problematik, për aq kohë sa pagat konkurruese dhe fleksibiliteti konsiderohen si gjuhë e koduar për të shfrytëzuar punonjësit. Ato përdoren si avantazhe për investitorët për të ardhur në Shqipëri.

E pyetur për mekanizmat që ka Komisioni Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë për të kontrolluar zbatimin e ligjeve, deputetja Mirela Pitushi, njëherazi anëtare e komisionit parlamentar, u përgjigj duke lexuar pa ndalim të gjitha konventat dhe direktivat që shteti ynë ka nënshkruar për mbrojtjen e punonjësve në vendin e punës.

Ndërsa, gjithë ligjërimin e saj më tutje e mbështeti në faktin se ka një bashkëpunim të mirë me Inspektoriatin e Punës dhe se fasonerive iu është dhënë zë i fortë.

“Besoj se dhe të gjithë ne jemi koshientë që Kryeministri i Shqipërisë kohët e fundit i ka dhënë një prioritet shumë të madh heqjes së informalitetit në punë.”-deklaroi deputetja Mirela Pitushi.

Sipas Artemisa Ljarja, koordinatore e fushatave pranë ‘Clean Clothes Campaign” në Gjermani, ligji gjerman vjen po ashtu me problematika në sektorin fason gjatë implementimit.

“Flitet për pagë të përshtatshme, ndërkohë ne flasim për pagë dinjitoze që janë shumë ndryshe nga njëra tjetra. Dhe këtu qëndron edhe një pjesë e punës së sindikatave, organizatave të punëtorëve për të zbërthyer se çdo të thotë pagë e nevojshme.”-theksoi Ljarja teksa prezantoi një raport për kushtet e punës në sektorin fason në vendet si Kroacia, Bullgaria e Ukraina.

Sipas saj, ka një mungesë transparence te kompanitë në bërjen publike të zinxhirit të tyre të prodhimeve, ndërsa theksoi se liria e organizimit të punëtorëve është po ashtu një e drejtë që po dhunohet.

“Nga puna jonë në sa e sa raste punëtorët mundohen të organizohen në sindikatat e tyre, qoftë në mënyrë formale apo jo formale në varësi të legjislacionit të vendeve në prodhim dhe e kanë jashtëzakonisht të vështirë për tu regjistruar në mënyrë formale pasi nuk ju njihet kjo e drejtë. Një pjesë e madhe e furnitorëve ose ngrenë institucione paralele ose thjesht nuk e pranojnë këtë sepse thonë që doni të organizoni një grevë dhe jo domosdoshmërisht doni të organizoheni në mënyrë sindikaliste.”-shtoi Artemisa Ljarja më tej.

Largimi i punëtorëve dhe sfidat në organizim sindikal

Sektori fason është një ndër sektorët që llogarit mbi 740 biznese. Sot numëron 55 mijë të punësuar, duke humbur 20 mijë vende pune, duke qenë se pak vite me parë numëronte 75 mijë të punësuar.

Këtë ikje masive, Edvin Prence, kryetar i shoqatës “Proeksport Albania”, ia faturoi përmes një pyetjeje sindikatave.

“Këto vende pune që kanë humbur, sindikatat ku janë? Çfarë kanë bërë? Kontratën kolektive sektoriale e kemi kërkuar ne dhe po e trajtojmë ne. Sepse duam të arrijmë në një pikë tjetër dhe duam të kemi qasje me të gjithë përfaqësuesit e çdo lloj organizmi, çdo lloj organizate, çdo lloj konfederate se vetëm bashkimi do mund të na çojë në rezultate të përbashkëta.”– deklaroi ai.

Ndërsa nxiti debat mes përfaqësuesve të sindikatave të pranishëm të cilët u shprehën se punëdhënësit vijojnë ti quajnë sindikatat në vend si armiq.

“Humbja e vendeve të punës ju zgjoi juve nga gjumi për sindikatat. E thatë shumë mirë, ju e keni mbyllur derën. Kur flas ju, flas për punëdhënësit. Punëdhënësit e kanë mbyllur derën historikisht për sindikatat se i quajnë armik. Ne s’jemi armiq, ne jemi aseti më i çmuar i një kompanie, jemi punonjësit, ata që mbajnë në këmbë bizneset tuaja.”– u shpreh Renato Muçaj, nga Sindikata e Punonjësve të Postë-Telekomit Shqiptar (SPPTSH).

Sipas tij, kontrata kolektive sektoriale është një flluskë sapuni sepse nuk është parashikuar në asnjë kod pune.

“Ju mund të bëni gjenë më të mirë, të hapni dyert, të firmosni kontratat kolektive me ato sindikatat që janë të interesuara dhe ka një klauzolë kodi i punës që nëse 50% e sektorit të punonjësve janë dakord me këto kontrata atëherë mund të shtrihet edhe te pjesa tjetër.”- përfundoi Muçaj.

Sipas përfaqësuesve të sindikatave të fasonerisë, ky sektor sjell shfrytëzim të punëtorëve në mënyrë masive.

“Në këtë sektor mungon kontrata kolektive sektoriale dhe për rrjedhojë kontratat kolektive në kompani janë më të ulëta, më të dobëta. Akoma vazhdon informaliteti dhe konkurrenca e pandershme si dhe pagat e ulëta. Shqetësim për ne ka qenë edhe emigracioni i të rinjve që kanë ikur për kushte e paga më të mira në vende të tjera. Sistemi i pagave vazhdon të dominohet nga paga orare në pagë në normë. Kur normat rriten dhe artificialisht dhe punëtorët tanë nuk arrijnë të marrin dhe as pagën minimale.”– deklaroi Suzana Lulaj, sekretare e përgjithshme e Federatës së Sindikatave të Tekstilit, Konfeksioneve dhe Shërbimeve.

Ndikimi mjedisor

Ligji gjerman po ashtu ka ndikim edhe në sistemin e raportimit mjedisor të kompanive. Ai përmend mjedisin e shëndetshëm në punë si dhe ndikimin që ka në mjedis, tokë, ajër, ujë dhe pyje.

Sipas Mihallaq Qirjo, nga Qendra Burimore e Mjedisit ky ligj e vendos fokusin edhe te mbetjet e rrezikshme sikurse merkuri, ndotësit organikë dhe mbetjet e rrezikshme.

“E shoh këtë si një lloj presioni që do ti ndodhi kuadrit ligjor në Shqipëri për tu modernizuar, por edhe një lloj reformimi mendësor për bizneset.”-shprehet Mihallaq Qirjo.

Sipas tij, ligji shqiptar ka qenë dinamik sa i përket raportimit mjedisor, mirëpo ka disa mangësi që shpreson ti adresojë ligji gjerman.

“Lejet mjedisore janë vetëm 2, leje e Tipit A dhe leje e Tipit B që janë me impiante të mëdha. Nuk hyjnë fasoneritë, nuk hyjnë furrat e bukës se u gjykuar që nuk do ti ngarkojmë me një peshë të madhe. Një pikë peshon pak, por shumë pika bëhen shumë. Këtë lloj mangësie ndoshta ligji gjerman do të na e sjellë prapë në vëmendje.”-argumenton Qirjo.

Marrë nga Citizens Channel

Kategori te tjeta

Artikuj te ngjashem

Ballinat e Tjera

Me te Lexuarat