Skema e re e pensioneve, po diskutohet ulja e kontributeve dhe e viteve të punës  

Qeveria shqiptare, Banka Botërore dhe grupet e interesit janë duke diskutuar ndryshime në reformën e pensioneve, të cilat do të jenë gati deri në fund të vitit. Burimet nga entet që po punojnë për reformat pohuan se ndryshimet që po diskutohen përfshijnë uljen e viteve me kontribute për pension të plotë dhe pension minimal, uljen e masës së kontributit, ndryshimin e indeksimit duke favorizuar pensionet e ulëta, krijimin e skemave private për profesionistët, etj. Emanuel Salinas, Menaxheri i Zyrës së BB në Shqipëri, në një intervistë të posaçme për “Monitor”, tha se propozimet finale do të jenë këtë vit dhe mbështeten në katër kritere kryesore. Të gjitha ndryshimet e hedhura për diskutim.

Blerina Hoxha

Skema e pensioneve, në vitin e dhjetë të zbatimit të saj, paraqet nevojën për ndryshme themelore si rrjedhojë e zhvillimeve demografike, ku popullsia kontribuuese po pakësohet më shumë se parashikimet dhe numri i përfituesve po rritet.

Qeveria dhe Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë analizuar disa opsione, të cilat do të jenë gati këtë vit. Nëpërmjet tyre synohet të korrigjohen defektet që dolën nga zbatimi i reformës së vitit 2014, duke garantuar në të njëjtën kohë edhe qëndrueshmërinë afatgjatë financiare të skemës dhe të ardhurat e pensionistëve.

Ndryshimet që po diskutohen pritet të marrin në konsideratë uljen e viteve me kontribute për pension. Burime nga entet publike, që janë përfshirë në diskutim për reformën e pensioneve, pohuan “Monitor” në kushtet e konfidencialitetit disa nga opsionet që po diskutohen, ndër to ka propozime për uljen e masës së kontributit.

Në diskutim është edhe forma e indeksimit të pensioneve, ku një alternativë mund të jetë edhe rritja në të njëjtën përqindje e pensioneve si paga mesatare.

Reforma synon të forcojë elemente të tjera të ndihmës ekonomike për pensionistët që përmbushin kushtet për pension. Në diskutim është rritja e pensionit social me shkallën e varfërisë relative.

Gjithashtu, ndryshimet do të marrin në konsideratë zhvillimin e skemave private, duke ofruar stimuj për profesionistët dhe të vetëpunësuarit.

Skema e pensioneve rurale gjithashtu është pjesë e rishikimit si në drejtim të kontributeve dhe përfitimeve, pasi pjesa më e madhe e pensionistëve të varfër janë aktualisht në zonat rurale.

Reforma, për të cilën u punua një dekadë dhe nisi të zbatohej në fillim të vitit 2015, pati në themel rritjen e viteve të kontributit për sigurimin shoqëror nga 35 në 40 vjet deri në vitin 2032 dhe rritjen graduale të moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç në vitin 2032 dhe për të arritur 67 vjeç për të dy sekset në vitin 2056.

Risia tjetër ishte rritja e normës së kontributit për zonat rurale, duke barazuar kontributet e fermerëve me ato të zonave urbane deri në vitin 2017.

Teksa vitet e punës për pension u rritën me reformën e vitit 2014, shumica e pensionistëve jo vetëm që nuk plotësojë kriteret për pension të plotë, por vit pas viti ata që dalin në pension kanë më pak vite pune me kontribute dhe marrin pagesa më të ulëta se pensioni mesatar.

Më 2014 kishte 460,736 pensione pleqërie dhe 28% e tyre morën pagesa të pjesshme, ndërsa vitin e kaluar, gati 50% e totalit të pensioneve të pleqësisë ishin të pjesshme.

Shumica e pensionistëve po përfundojnë me pagesa mujore afër pensionit minimal dhe atij social.

Personat që dolën në pension gjatë vitit 2023 morën pagesë mesatare rreth 15,569 lekë, vlerë kjo 15% më e ulët se pensioni mesatar për të gjithë pensionistët.

Ekspertët që po punojnë për reformën pohuan se pritet të ketë ndryshime në llogaritjen e pensionit minimal dhe pensionit social që tani janë në nivele të njëjta.

Duke analizuar këtë ecuri, Fondi Monetar Ndërkombëtar referon se, gjithnjë e më shumë pensionistë do të përfitojnë pagesa të pjesshme, pensione sociale ose do të jenë pa pension, për shkak të kohëzgjatjes së pamjaftueshme të kontributit, në të ardhmen.

Në një intervistë për “Monitor”, Emanuel Salinas, Menaxheri i Zyrës së BB në Shqipëri, tha se propozimet finale do të jenë gati në fund të vitit.

Projeksionet e reja mbi skemën e pensioneve, sipas tij, synojnë të adresojnë edhe disa problematika, për të përmirësuar informalitetin në tregun e punës dhe për të krijuar një lidhje më të fortë ndërmjet kontributeve dhe përfitimeve.

Po diskutohet ulja e viteve të punës me kontribute

Një element që po diskutohet për t’u ndryshuar është kriteri i viteve të punës për pension minimal dhe pension maksimal. Aktualisht duhen 15 vite pune për sigurime për të përfituar pension minimal dhe këtë vit duhen më shumë se 38 vite punë me sigurime të paguara për pension të plotë.

Më 2023, periudha mesatare kontributive për pensionet e reja të vitit ishte 26.8 vite, ndërsa kur nisi reforma në vitin 2014, ishte 33.3 vite.

Sipas ligjit aktual të sigurimeve, kohëzgjatja e kontributit për të pasur të drejtën e një pensioni të plotë në vitin 2032 do të jetë 40 vjet.

Për të përfituar pension të plotë, të dhënat e analizuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar tregojnë se kriteret për vitet e pagesës së kontributeve janë më të larta se në vendet e zhvilluara.

P.sh. në vendet e OECD-së duhen vetëm 34 vite sigurime për një pension të plotë dhe 13 vjet për një pension të pjesshëm.

Në vende si Shqipëria, ku një pjesë e madhe e punonjësve janë informalë, një periudhë e gjatë kontributesh si në rastin e Shqipërisë dekurajon punonjësit që të kontribuojnë, veçanërisht në rastin e grave, ose emigrantëve që janë jashtë tregut vendas të punës.

Personat që dolën në pension në vitin 2012 kishin paguar mesatarisht 34 vite sigurime dhe në vitin 2023 vetëm 26.8 vite. Mosplotësimi i kriterit të viteve të punës me sigurime ul në mënyrë të jashtëzakonshme përfitimet nga pensioni.

Në njërën anë, pensionistët e rinj kanë gjithnjë e më pak vite me kontribute dhe nga ana tjetër, vit pas viti bashkë me moshën e daljes në pension, rritet edhe periudha e viteve me kontribute.

Me ritmet aktuale, pensionistët shqiptarë nuk do të plotësojnë as gjysmën e viteve me kontribute, duke bërë që pagesat e tyre në të ardhmen të jenë shumë të ulëta, gati sa pensioni minimal.

Por duke qenë se tani, kriteri i viteve me kontribute po plotësohet gjithnjë e më pak, pensionet e reja të pleqërisë rezultojnë të ngjashme me pensionet sociale, duke dekurajuar pagesën e kontributeve nga punonjësit aktualë vëren Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Numri i pensionistëve, që nuk përmbushin vitet e punës dhe nuk arrijnë të përfitojnë një pension të plotë pleqërie, po rritet me shpejtësi.

Rritja me shpejtësi e përfituesve me pension të pjesshëm tregon se mosha e tretë rrezikon varfërinë ekstreme, teksa inflacioni ka qenë i lartë dy vitet e fundit.

Një opsion, ulja e masës së kontributit

Aktualisht Shqipëria ka një normë kontributi për sigurimet shoqërore më të lartë se mesatarja e vendeve të Organizatës së Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik (OECD).

Në Shqipëri paguhen mesatarisht 21.6% kontribute, nga një mesatare 18% në vendet e OECD-së, thuhet në një studim të Komisionit Europian “Vlerësimi i përshtatshmërisë së pensioneve ne Shqipëri”.

Edhe pse përqindja e kontributeve në Shqipëri është më e lartë, kontributet e mbledhura nuk janë të mjaftueshme për të paguar shpenzimet totale për skemën publike të pensioneve në Shqipëri.

Ekspertët pohuan se është duke u diskutuar opsioni i uljes së kontributeve dhe shihej si një nxitës për uljen e informalitetit dhe pjesëmarrjes së më shumë personave në skemë.

Studimi “Një vështrim mbi taksimin e punës në Ballkanin Perëndimor” nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, vuri në dukje se informaliteti i lartë në tregun e punës në Shqipëri është kryesisht si rrjedhojë e normës së lartë të taksimit mbi pagat e ulëta.

FMN vëren se informaliteti është më i përhapur në Shqipëri, sesa në Maqedoninë e Veriut apo në Serbi, me rreth 50% të njerëzve në marrëdhënie pune, kundrejt rreth 20% mesatarisht të raportuar për dy vendet e tjera.

Në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, një nivel i tepërt i taksave në pagat e ulëta është pengesa kryesore për formalizimin dhe gjithëpërfshirjen e punësimit, veçanërisht për gratë, analizon Fondi.

Korrigjimi i kësaj anomalie tatimore te personat me paga të ulëta mund të arrihet para së gjithash nga reduktimi i kontributeve të sigurimeve, duke zhvendosur pjesërisht financimin e pensioneve dhe programeve shëndetësore në baza të tjera tatimore.

Kjo masë synon të nxisë formalizimin në tregun e punës, si pjesë kryesore e ndryshimeve në skemën aktuale.

Do të ndryshojë indeksimi, favorizohen pensionet e ulëta

Ekspertët e fushës janë duke diskutuar një formulë që të mundësojë rritjen e pensioneve të ulëta me një vlerë më të madhe se të atyre më të larta. Aktualisht, indeksimi aplikohet në përqindje të inflacionit të pensionistëve.

Vitin e kaluar u aplikua një indeksim 8.6% (inflacioni i pensionistëve), por e përkthyer në vlerë, përfitimi është shumë i vogël për pensionet e ulëta se ato të larta.

P.sh. një pensionist në fshat që paguhet 10,000 lekë në muaj, mori rritje në tetor 2023 vetëm 860 lekë, ndërsa një pensionist që paguhet me 30 mijë lekë në muaj, përfitoi një shtesë 2,560 lekë, ose tre herë më të lartë.

Një opsion është rritja me vlerë fikse.

Një tjetër opsion në diskutim është indeksimi i pensioneve me të njëjtën normë sa rritja e pagës mesatare.

Sipas përcaktimeve të INSTAT, që bazohen në metodologji ndërkombëtare, një pensionist konsiderohet i varfër, nëse pagesa mujore është më pak se gjysma e pagës mesatare në shkallë vendi. Ky hendek është thelluar vitet e fundit dhe është përshpejtuar më shumë këtë vit.

Në vitin 2023 pensioni mesatar ishte vetëm sa 26% e pagës mesatare mujore bruto, nga 31% që ishte ky raport më 2018.

Në vitin 2022, pensioni mesatar në qytet ishte sa 44.4% e pagës mesatare neto dhe 35% e pagës bruto. Këto raporte ishin përkatësisht 52% dhe 41% në vitin 2018.

Të dhënat tregojnë për një rritje të pabarazisë ndërmjet shtresave të shoqërisë, në këtë rast të pensionistëve dhe personave të punësuar.

Me gjasë, hendeku do të zgjerohet gjatë viteve të ardhshme, pasi tregu po sinjalizon rritje më të larta të pagave prej kushteve të reja që ka krijuar mungesa e fuqisë punëtore. Pas një dekade anemike, pagat kanë nisur të lëvizin, ndonëse jo me ritme të larta.

Në fund të vitit 2023, paga mesatare në shkallë vendi ishte 42% më e lartë se para pandemisë, duke u rritur nga 52,380 lekë në 75.025 lekë në fund të 2023.

Në të njëjtën periudhë, pensioni mesatar nga niveli 16,256 lekë në vitin 2019 arriti në 17,306 lekë në 6-mujorin e parë të këtij viti, me një zgjerim vetëm 6%.

Ka sugjerime se indeksimi i pensioneve me ritmet e rritjes së pagës mesatare do të ishte më i drejtë se indeksimi me inflacionin.

Selami Xhepa, doktor i shkencave ekonomike, sugjeroi indeksim me fasha sipas nivelit të të ardhurave të pensionistëve.

“Mendoj se në skemën aktuale të pensioneve, duhen bërë indeksime të përvitshme, sipas fashës së pensioneve, duke përdorur një koeficient më të lartë indeksimi për pensionet nën mesatare dhe më të ulët për pensionet e larta.

P.sh., pensionet që janë nën 44% të pagës mesatare (sa shkalla aktuale e zëvendësimit të pensionit), të indeksohen me një koeficient dy herë më të lartë se koeficienti mesatar i indeksimit.

Rregullohet raporti kontribute-përfitim për pensionet e larta

Skema aktuale ka ende deformime ndërmjet masës së kontributeve dhe përfitimeve. Sipas Tatimeve, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore, paga bruto mujore, do të jetë jo më pak se sa paga minimale mujore, e barabartë me 40,000 lekë dhe deri në 176,416 paga maksimale.

Sipas këtij rregulli një person me pagë maksimale paguan sigurime 4.4 herë më shumë se personat me pagë minimale.

Me reformën e re të pensioneve, kufiri ndërmjet pensionit minimal dhe maksimal u hoq, por ekspertët vërejnë se ky parim nuk u respektua.

Efektet e reformës së vitit 2014 priteshin veçanërisht në rritjen e pensioneve maksimale. Rritja e kufirit të pagës maksimale për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore duhet të garantonte një rritje të shkallës së zëvendësimit për pensionet maksimale, por kjo nuk po ndodh, pohojnë ekspertë të fushës.

Ende mbetet raporti 1:2 midis pensionit minimal dhe atij maksimal nga skema bazë kontributive e sigurimeve shoqërore, ndërkohë që raportet e pagave mbi të cilat mbahen kontributet janë 1:4.5.

Kjo e drejtë duhet të korrigjohet njëherë e mirë në ndryshimet që po i bëhen ligjit të pensioneve.

Tranzicioni demografik, 40% e popullsisë pensionistë më 2070

Projeksionet e fundit të Kombeve të Bashkuara, që i takojnë vitit 2022, tregojnë se Shqipëria po shkon drejt një tranzicioni të fortë demografik. Deri në vitin 2070, pjesa e të moshuarve pritet të arrijë në 40% të popullsisë në krahasim me vetëm 17% aktualisht.

Gjatë së njëjtës periudhë, popullsia në moshë pune në grupmoshën (25–64 vjeç) parashikohet të bjerë 41% të popullsisë totale deri më 2070 nga 54 aktualisht. Ndërsa raporti i varësisë së moshës së vjetër (grupmosha +65 në raport me popullsinë 25-65 vjeç) do të rritet më tej.

Raporti i varësisë për moshat e vjetra nga 26% aktualisht do të rritet në 83% deri në vitin 2070, më e lartë në të gjithë rajonin. Flukset e larta të emigracionit, rritja e jetëgjatësisë dhe normat e ulëta të lindshmërisë e nxisin këtë prirje afatgjatë.

Nga ana tjetër, tendencat e tregut të punës shtojnë sfidat demografike. Shkalla e mbulimit me sigurime në popullsinë në moshë pune është shumë e ulët në Shqipëri.

Për shembull, në vitin 2023, rreth 1.86 milionë njerëz ishin të moshës 15-64 vjeç, prej tyre vetëm rreth 44% ishin kontribuues në skemën e pensioneve.

Rreth 56% e popullsisë në moshë nuk ishin as kontribuues dhe as pensionistë. Midis të vetëpunësuarve, një numër i vogël kontribuon skemë rurale, ndërsa të vetëpunësuar të tjerë kontribuojnë në skemën kryesore dhe përbëjnë vetëm 10% e totalit të kontribuuesve, teksa vetëpunësimi zë gati 30% të punësimit total në vend.

Banka Botërore analizon se shkalla e ulët e mbulimit të kontribuuesve ngre rrezikun për rritjen e fortë të pensioneve të pjesshme në të ardhmen.

Nënraportimi i pagave, i vërejtur nga hendeku midis pagës mesatare nga të dhënat e sigurimeve shoqërore dhe nga Instituti i Statistikave, është gjithashtu një shqetësim.

Sistemi aktual i pensioneve mbulon pothuajse të gjithë të moshuarit. Raporti i përfituesve në popullsinë mbi popullsinë 65 vjeç është nga më të lartët në rajon, sipas një analize të zhvilluar së fundi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për qëndrueshmërinë fiskale të skemës së pensioneve në Shqipëri.

Nga ana tjetër, numri i lartë i përfituesve është nxitur nga rregullat e mëparshme për pensionet e pleqërisë (mosha më e ulët e pensionit, pensioni i parakohshëm, pensionistët me aftësi të kufizuar etj.

Deficiti i skemës është përmirësuar, por pensionet po vijnë me ulje

Rritja e numrit të pensioneve të pleqërisë u përshpejtua në vitin 2023, me ritmet më të larta të gjashtë viteve të fundit. Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore 590,649 persona morën pension pleqërie në vitin 2023, me rritje vjetore 3,1%.

Stoku i pensionistëve u zgjerua me rreth 17 mijë vitin e kaluar, një numër më i lartë pasi mesatarja vjetore, që nga 2010, me shtesë 15 mijë në vit.

Ndryshe nga pritshmëritë, rritja e numrit të përfituesve nuk po ushtron presion mbi shpenzimet buxhetore, pasi pjesa më e madhe e atyre që po dalin në pension nuk i plotësojnë kushtet për pagesa të plotë.

Në anën tjetër, rritja e pagës minimale dhe pagave në tërësi në sektorin publik dhe atë privat kanë ndikuar pozitivisht të ardhurat nga kontributet.

Të ardhurat nga sigurimet shoqërore nga kontributet e personave juridikë dhe fizikë vitin e kaluar arritën në 121,4 miliardë lekë, ose 17.7% më shumë se në vitin 2022.

Rritja e të ardhurave dhe frenimi i shpenzimeve bënë që subvencioni i buxhetit për skemën e sigurimeve të zbresë në 14,6 miliardë lekë në vitin 2023, vetëm 0.8% e PBB-së, nga 23 miliardë lekë që ishte në vitin 2022.

Buxheti i shtetit subvencionon shpenzimet e skemës publike të pensioneve që nuk mbulohen nga sigurimet.

Por duke qenë se pensionet e reja po dalin më të ulëta se pensioni mesatar në vend, subvencionet e buxhetit për skemën e pensioneve po ulen.

Por teksa buxheti i shtetit ka ulur ekspozimin nga deficiti i skemës së sigurimeve, pensionistët nga ana tjetër, vit pas viti, marrin pagesa më të ulëta teksa kostot e jetesës po rriten.

Kontribuuesit dhe përfituesit u rritën me ritme të ngjashme në vitin 2023, duke bërë që për çdo pensionist të ketë 1.17 kontribuues një nivel i njëjtë me vitin 2022.

Nga ana tjetër, pensionet e reja të vitit 2023 ishin ndjeshëm më të ulëta se pensioni mesatar. Të dhënat zyrtare nga ISSH referojnë se ata që dolën në pension vitin e kaluar morën mesatarisht 15,560 lekë në muaj, vlerë kjo të paktën 15% më e ulët se pensioni mesatar në shkallë vendi mbi 18,300 lekë në muaj.

Marrë nga Monitor.al

Kategori te tjeta

Artikuj te ngjashem

Ballinat e Tjera

Me te Lexuarat