Kryeministri Edi Rama ka përmendur sot sistemin “Airbnb”, ndërsa fliste për turizmin dhe tha se të ardhurat që familjet marrin në këtë sektor janë lënë qëllimisht të pataksuara për momentin. Por la të nënkuptohet se ky mund të jetë një hap që qeveria e tij do e marrë në të ardhmen.
Duke theksuar rëndësinë e sektorit të turizmit, Rama tha se vetëm vitin e shkuar ky sektor solli 4.2 miliard euro të ardhura.
“Ne si vend kemi fituar 4.2 miliard euro nga turizmi i vitit të kaluar dhe atyre që pyesin se ku shkuan këto para duhet t’i japim përgjigjen që këta para shkuan tek njerëzit në rradhë të parë.
Familjet në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe vende të tjera që japin me qira apartamentet e tyre, me skemën Airbnb për turistët që nuk shkojnë në hotele, sepse 10 milion turistë nuk përputhen me shtretërit që kemi në hoteleri.
Dhe ky fond është një fond i padeklaruar, e cila e gjitha e paprekur shkon te familjet.
Qëllimisht në kemi qenë liberal dhe të vetëdijshëm që nuk është ky momenti për të ndërhyrë në këtë pjesë dhe për të ngacmuar familjet.
Një tjetër pjesë e këtyre të ardhurave ka influencuar në mënyrë të ndjeshme pagat. Pagat e industrisë. Ne sot kemi një industri turizmi që është gati të paguajë pa asnjë lloj dallimi me Greqinë.”- deklaroi Rama sot në Konferencën Kombëtare “Për sigurinë e turizmit në Shqipëri”, një organizim i përbashkët i Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.