Debate mes drejtueses së seancës parlamentare, Ermonela Felaj dhe deputetit të PD-së Gazment Bardhit për listën e diskutantëve.
Në seancën e sotme plenare, Bardhi kishte ankesa lidhur me radhën e fjalimeve dhe e quajti Felajn “gënjeshtare dhe gjobaxhie” kur ajo u përpoq t’i bënte një sqarim mbi listën.
Felaj e paralajmëroi deputetin demokrat se në bazë të rregullores mund t’i heqë fjalën dhe ta nxjerrë jashtë atë, ndaj e këshilloi mos ta përsërisë më.
DEBATI
Felaj: Një sqarim për listën e diskutantëve. Lista bëhet nga grupet dhe drejtuesi i seancës. Një minutë, se ju vetëm gënjeni dhe të gjithë ngatërresën ju e bëni bashkë me kolegët. Ne nuk bëjmë asnjë listë si të duam. Por listat kanë një logjikë që imponon rregullorja që është harmonizimi i grupeve. Deputetja Ilda Dhori përfaqëson jo grupin parlamentar të PD, por grupin parlamentar Demokraci dhe Integrim. Si kundër Elda Hoti nuk përfaqëson grupin e PD, por grupin Aleanca për Ndryshim, kështu që nuk ka gabim në listë. Zonja Hoti do ta marrë fjalën kur ti vijë radha. Kaq e thjeshtë është, Mos gënjeni kolegët tuaj duke iu thënë që të takon radha më përpara. Po të kishit pretendime i bënit më përpara, jo kur po zbatohet lista.
Bardhi (flet nga vendi pa mikrofon): Gënjeshtare!
Felaj: Gënjeshtar je ti i kapur me fakte dhe prova që nuk e di ku i ke deputetet dhe deputetet nuk dinë se ku janë. Fjalët do ia jap ministrit Gonxhe.
Bardhi (flet nga vendi pa mikrofon): Gjobaxhie!
Felaj: Zoti Bardhi ju tërheq vëmendjen për sjelljen në këtë seancës, ju lutem mos e përsërisni sepse ju heq të drejtën e fjalës dhe ju nxjerr jashtë. Ato gjobaxhiet shko tregoi atje ku të mësojnë sesi të vish dhe të flasësh kështu. Dakord?! Fjalën e ka zoti Gonxhe.