Ish-deputeti i PD-së, Belind Këlliçi thotë se ka informacion se emisioni “Report” në televizionin italian “RAI 3” do të transmetojë fakte e skandale të reja të qeverisë.
Sipas tij, emisioni që nuk u transmetua të dielën do të transmetohet.
“Do transmetohet. Në rrugë informale me aq sa kam marrë informacion flitet që ata po punojnë për dy seritë në vijim që do jenë të mbushura me informacione të reja dhe me skandale të reja të qeverisë.”– u shpreh Këlliçi ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Open” në “News24”.
Këlliçi thotë se kryeministrja italiane Giorgia Meloni mori në mbrojtje Edi Ramën, pasi ky i fundit i ka bërë një “qokë” të madhe përmes marrëveshjes për emigrantët.
“Në këtë rast është e thjeshtë dhe e logjikshme. Duke qenë se marrëveshja për emigrantët me Shqipërinë dhe halli i madh që kishte Meloni me trajtimin e çështjes së emigrantëve dhe me faktin që tashmë e ka kthyer Shqipërinë në një vend që as afrikanët nuk duan të vinë, sigurisht për këtë favor që Rama i ka bërë dhe për këtë qokë që i ka bërë, Meloni do ja kthente prapësht.”- tha Këlliçi.
Kujtojmë se “Rai 3” kishte paralajmëruar të dielën se do transmetonte një tjetër pjesë të dokumentarit për Shqipërinë, por kjo gjë nuk ndodhi.