David Cameron e ka gjetur veten së fundmi mes një stuhie kritikash, pasi mori me qira një avion luksoz me vlerë rreth 42 milionë paund për një turne që pati në Azinë Qendrore.
Siç shkruan “The Guardian” Sekretari i Jashtëm britanik udhëtoi javën e kaluar me avionin “Embraer Lineage 1000” për një vizitë pesë-ditore në Taxhikistan, Kirgistan, Uzbekistan, Turkmenistan, Kazakistan dhe Mongoli.
“Union Aviation”, firma e avionëve charter tha në faqen e saj të internetit se avioni ofron një menu ushqimore të përshtatshme për “pasagjerët më kërkues” dhe një seri verërash.
Karakteristikat e tjera të avionit përfshijnë tavolinën e ngrënies, si dhe një zonë të veçantë relaksi me divane shumë të gjatë.
Prokurorja e Përgjithshme, Emily Thornberry deklaroi në rrjetet sociale: “E kuptoj që David Cameron mund të ketë nevojë të marrë me qira një avion kur udhëton në shumë vende brenda një jave, por kjo nuk justifikon shpenzimin e qindra mijëra paundëve nga shpenzimet e taksapaguesve për të marrë një nga avionët privatë më luksozë në treg.”
Përpara turneut të Cameron, qeveria tha se sekretari i jashtëm do ta përdorte vizitën për të promovuar mundësitë për bizneset britanike dhe për të njoftuar paketën me 50 milion £ fonde për të mbështetur sovranitetin dhe pavarësinë e shteteve në të gjithë rajonin që do vizitonte.
Një zëdhënës i Zyrës së Jashtme tha: “Puna e sekretarit të jashtëm kërkon që ai të udhëtojë jashtë vendit për të ndjekur interesat e Mbretërisë së Bashkuar. Kjo ishte mënyra më efektive për ta bërë këtë në këtë rast. Vlera për paratë merret parasysh në të gjitha vendimet e udhëtimit dhe kostot publikohen në mënyrë rutinore për transparencë.”
Vitin e kaluar, paraardhësi i Cameron në këtë detyrë, James Cleverly, u kritikua për një faturë prej rreth 348 mijë paundësh kur ai përdori të njëjtin lloj avioni për një turne tetë-ditor në Karaibe dhe Amerikën Latine.
Kryeministri Rishi Sunak është kritikuar gjithashtu për dashurinë e tij për udhëtimet ajrore, edhe në distanca të shkurtra brenda Mbretërisë së Bashkuar.