
Debate në seancën e sotme plenare lidhur me punën e Reformës në Drejtësi dhe SPAK-ut.
Deputeti socialist Pandeli Majko debatoi me deputetët e opozitës, konkretisht me Gazmend Bardhin, duke thënë që ajo që opozita po bën sot duke goditur SPAK-un është një lëvizje anti sistem.
Ai pyet nëse do të zgjedhin të respektojnë institucionet apo do të dalin në rrugë për të bërë të ashtuquajturin revolucion dhe shtoi se sot në burgjet e vendit janë më shumë anëtarë të PS-së e megjithatë kolegët socialist nuk po e godasin SPAK-un.
“Unë e kam dobësi Reformën në Drejtësi. Ajo që unë nuk e kuptoj kolegë është se nuk u desh as 10 minuta nga diskutimi i drejtuesi i grupit tuaj tek numri 2 i partisë tuaj për të kuptuar një diferencë shumë të rëndësishme.
SPAK-u është SKAP apo është një strukturë e drejtësisë të cilës ne i referohemi për të goditur luftën kundër korrupsionit zoti Gazi? SKAP-i është organizatë kriminale, apo duhet përkrahur në luyftën e tij kundër korrupsionit? SKAP-i është një histori korruptive mafioze apo është një strukturë që gëzon përkrahjen më të madhe nga partnerët tanë? Unë e përsëris edhe njëherë, do qëndroni brenda sistemit, do respekton institucionet, apo do dilni në rrugë për të bërë të ashtuquajturin revolucion? Bëjeni, por duhet të kuptoni se nëse sot rënkoni pse u tërhoqët nga zgjedhjet, ajo ishte një lëvizje anti-sistem. Edhe sot kjo që po bëni me strukturat e drejtësisë është një lëvizje anti-sistem. Të gjitha lëvizjet antisistem ju kanë nxjerrë nga sistemi. Sot në burgjet e Shqipërisë janë më shumë anëtarë të PS sesa nga krahu juaj. Asnjë nga ne nuk është ngritur të godasë drejtësinë. Ju keni vendosur të punoni jashtë sistemit, por jashtë sistemit nuk keni të ardhme.”– tha Majko.
Pas tij replikoi Bardhi, duke kujtuar se edhe vetë kryeministri Edi Rama e ka goditur SPAK-un atëhere kur i ka interesuar, duke përmendur rastin e portit të Limionit në Sarandë.
“Pyet kryeministrin tënd kur sulmoi për llogari të dy oligarkëve që kanë grabitur portin e Limionit, SPAK-un, si avokat i atyre dy bizneseve që kanë grabitur një pronë publike. Sa i takon që ne paskemi disfatë është një non sens logjik. Ju fshiheni, disfatën e paskemi ne. Ju nxiheni nga aferat dhe gishtin e drejtoni nga ne. Deri dje thatë lexoni çfarë shkruan Edi Rama se paskemi blerë RAI 3, tani thoni se e kemi bërë ne. Zgjohuni nga gjumi!”– tha Bardhi.