Tha se sot ndoshta jepte dorëheqjen, kryeministri i Spanjës ndryshon mendje

Kryeministri i Spanjës Pedro Sánchez nuk do të japë dorëheqjen. Ai kishte anuluar të gjitha angazhimet zyrtare javën e kaluar pasi një gjykatë hapi hetimet ndaj gruas së tij për korrupsion, duke thënë se do të merrte kohë të mendohej nëse duhej të jepte dorëheqjen apo jo.

E këtë të hënë, Sánchez doli dhe tha se e ka marrë vendimin dhe do të vijojë të qëndrojë si kryeministër i Spanjës.

Sánchez thotë se akuzat ndaj bashkëshortes së tij janë një fushatë ngacmimi nga mediat e djathta.

Ai tha se vendosi të qëndrojë në detyrë pasi pa “Shprehjet e solidaritetit nga të gjitha shtresat e shoqërisë”.

Një seri demonstratash u mbajtën në mbarë Spanjën gjatë fundjavës, duke kërkuar që kryeministri të vazhdojë në postin e tij. Më shumë se 10 mijë njerëz u mblodhën para selisë së Partisë Socialiste (PSOE) në Madrid, në shenjë mbështetjeje për kryeministrin.

“Falë këtij mobilizimi, unë kam vendosur të vazhdoj të udhëheq presidencën.”-tha Sánchez siç citon BBC dhe u zotua të vazhdojë “me më shumë forcë nëse është e mundur”.

“Kjo nuk ka të bëjë me fatin e një lideri – ka të bëjë me vendosjen se çfarë lloj shoqërie duam të jemi. Vendi ynë ka nevojë për këtë vetë-reflektim. Ne e kemi lënë baltën të njollosë jetën tonë publike për një kohë të gjatë.“- shtoi kryeministri spanjoll.

Akuzat kundër gruas së tij, Begoña Gómez, për korrupsion në biznes u ngritën nga organizata Manos Limpias (Duart e Pastra), e udhëhequr nga një njeri i lidhur me të djathtën ekstreme, Miguel Bernad.

Të enjten, prokurori publik i Madridit bëri thirrje që hetimi të mbyllet për mungesë provash.Por Bernad ka deklaruar se të tjera prova do të publikohen që implikojnë vetë Sánchez.

Kategori te tjeta

Artikuj te ngjashem

Ballinat e Tjera

Me te Lexuarat