Ministri i Parë skocez Humza Yousaf ka dhënë dorëheqjen pas rënies së qeverisë së koalicionit të tij afro 1 vjeçar, një largim që e fut në kaos partinë pro-pavarësisë së Skocisë.
Siç raporton BBC, qeveria e Yousaf-it u shpërbë papritur javën e kaluar kur ai prishi një marrëveshje koalicioni me ligjvënësit e Partisë së Gjelbër pas një grindjeje mbi politikën klimatike, një veprim i rrezikshëm që iu përplas në fytyrë në mënyrë spektakolare kur të Gjelbërit thanë se do të votonin kundër tij në një mocion besimi.
Partia SNP e cila është në pushtet do të zgjedhë tani një kandidat për të zëvendësuar Yousaf-in.
Humza Yousaf mori drejtimin e partisë së Partisë Kombëtare Skoceze (SNP) marsin e kaluar, duke shpresuar të zgjasë dominimin e partisë në politikën në veri të kufirit në një dekadë të tretë dhe të forcojë shanset për një referendum të ri mbi pavarësinë skoceze.
Por problemet ligjore gjithnjë e më të përkeqësuara të partisë, mosmarrëveshjet mes koalicionit dhe një gabim që bëri duke larguar dy ligjvënës të Gjelbër nga qeveria e tij… e çuan Yousafin në një luftë pesë-ditore për lidershipin e tij.
“Fatkeqësisht, duke i dhënë fund Marrëveshjes së Bute House në mënyrën që e bëra unë, nënvlerësova qartë nivelin e lëndimit dhe mërzitjes që shkaktoi kjo te kolegët e Gjelbërt.”– pranoi ai në konferencë për shtyp.
Partia SNP me prirje të majtë ka udhëhequr qeverinë e Skocisë që nga viti 2007 dhe detyroi mbajtjen e një votimi për pavarësinë në vitin 2014, në të cilin votuesit skocezë zgjodhën të mbeten pjesë e Mbretërisë së Bashkuar.