Ministria e Brendshme në Mbretërinë e Bashkuar duket se ka humbur kontaktet me mijëra emigrantë të paligjshëm nga Ruanda.
Siç shkruan “The Guardian”, shifrat zyrtare sugjerojnë se mijëra njerëz që “Home Office” shpresonte të deportonte në Ruandë kishin ndaluar së raportuari.
Një ministre e qeverisë tha se kjo nuk është një gjë e re, pasi Home Office tashmë është “mësuar” të humbasë kontaktet me azilkërkuesit.
Në faqen zyrtare të institucionit, thuhet se departamenti është në kontakt vetëm me 38% të atyre që synon të largojë në Ruanda. Vetëm 2,145 “vazhdojnë të raportojnë në Zyrën e Brendshme dhe mund të vendosen për ndalim”, nga 5 mijë e 700 që ka identifikuar për të dëbuar në fluturimet e para.
Grupet e të drejtave të njeriut dhe aktivistët e kanë dënuar ashpër skemën, të cilën kryeministri Rishi Sunak është zotuar se do ta zbatojë deri në korrik.
Sekretarja e Shëndetësisë Victoria Atkins tha se forcat e zbatimit të ligjit do të punojne për gjetjen e atyre që ishin zhdukur nga kontaktet zyrtare.
“Home Office është mësuar me këtë në mënyrë operative, oficerët e zbatimit të ligjit janë mësuar me këtë.”- tha Atkins për Sky News. “Pra, pritet që ne të largojmë atë grup njerëzish, si dhe të tjerët, deri në fund të vitit … Ne duam që mesazhi të dalë me zë të lartë dhe të qartë se nëse dikush nuk raporton siç duhet të bëjë, mos të mendojë se do të shpëtojë. Ata do të gjenden.”
Ministri në hije i imigracionit, Stephen Kinnock, tha se statistikat ekspozuan “mungesën totale të kontrollit” që konservatorët kanë mbi sistemin e azilit dhe kaosin në zemër të politikës së tyre ndaj Ruandës.