Protestë para Bashkisë Tiranë, Këshilli Bashkiak e zhvillon mbledhjen online pa opozitën

Protesta e paralajmëruar e Rithemelimit dhe Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit ka nisur në orën 16:30 pranë Bashkisë së Tiranës.

Sot ishte thirrur edhe mbledhja e Këshillit Bashkiak, por Kryesia ka vendosur ta zhvillojë mbledhjen online pikërisht për shkak të protestës.

Këshilltarët e opozitës janë nisur për të shkuar në mbledhje, por e kanë gjetur derën të mbyllur.

Dorian Teliti i cili është nënkryetari i këshillit bashkiak, thotë se kryebashkiaku Erion Veliaj nuk ka autoritet të anulojë mbledhjen e këshillit bashkiak.

“Këshilltarët e Erion Veliajt të thonë se ku kanë shkuar paratë e 5D. U kërkoj qytetarëve të vijnë në protestë për të kërkuar dorëheqjen e atij që edhe kur nuk është në zyrë është në SPAK, vazhdon të japë urdhra dhe e trajton bashkinë e Tiranës si çifligun e vetë. Ai nuk ka autoritetin të anulojë asnjë mbledhje të këshillit bashkiak. Kërkojmë të hapin derën se ligjet nuk bëhen nga rruga dhe kafja. T’i heqin zinxhirin derës, të na lejojnë të futemi brenda.   Sot sekretaria ka dërguar në orën 14:00 një e-mail ku thotë se do mblidhet sekretaria në orën 15:00. Nuk donin që përfaqësuesit e opozitës të ishin të pranishëm. Kujtojnë se ne jemi të papunë. Asnjë telefonatë nuk kanë bërë. Ne kemi bërë kërkesë që mbledhja të zhvillohet në formatin e jashtëzakonshëm, por këta edhe mbledhjen normale anulojnë dhe i vendosin zinxhirin derës.”– tha Teliti. Sipas Telitit, anëtarët socialistë të Këshillit duan të shmangin llogaridhënien.

Në emailin për të cilin flet Teliti, thuhet se vendimi për ta zhvilluar mbledhjen online u mor me dakordësinë e shumicës së anëtarëve të Kryesisë.

“Të nderuar anëtarë të Këshillit Bashkiak! Kryesia e Këshillit Bashkiak zhvilloi online mbledhjen sot, datë 30 prill 2024, ora 15:00, me shumicën e anëtarëve prezentë.

Në zbatim të Rregullores për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit Bashkiak Tiranë, neni 24, pika 2, ‘Kryesia, është organ konsultativ që kujdeset për mbarëvajtjen e punës së këshillit, gjatë dhe midis dy mbledhjeve të tij’ me dakordësinë e shumicës së anëtarëve të Kryesisë së Këshillit prezent në mbledhje, me qëllim garantimin e sigurisë së këshilltarëve, u vendos që mbledhja e Këshillit Bashkiak njoftuar për datën 30 prill, ora 16:30, të zhvillohet online. Sa më sipër, lutemi, gjeni më poshtë linkun për pjesëmarrjen.”– shkruhet në email.

Kategori te tjeta

Artikuj te ngjashem

Ballinat e Tjera

Me te Lexuarat