Tensione në Protestën e 5-të të opozitës para Bashkisë, një polici i bie të fikët

Është përshkallëzuar përsëri situata në protestën që po mbahet në këto momente përpara Bashkisë së Tiranës.

Në të pestën protestë radhazi, protestuesit kanë hedhur molotov përpara hyrjes së godinës së Bashkisë.

Edhe në protestat e mëparshme, janë hedhur vezë, tymuese dhe shashka në dyert e bashkisë. U desh ndërhyrja e forcave të Policisë për të qetësuar situatën.

Më pas, një punonjësi të policisë i ka rënë të fikët dhe mjeku Ilir Alimehmeti i cili ishte në protestë, i dha atij ndihmën e parë. Protestuesit hapën rrugën për ambulancën që t’i vinte atij në ndihmë.

Pas këtij incidenti, Tedi Blushi tha se policët janë të kequshqyer.

“Së pari dua t’i uroj shërim të shpejtë policit i cili humbi ndjenjat pak çaste më parë dhe dua të falenderoj qytetarët që i hapën rrugën ambulancës. Për fat të keq kjo ngjarje dëshmoi edhe një herë gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet Policia e Shtetit.

Me policë të pa ushqyer dhe të veshur keq, të cilët humbin ndjenjat në protestë për shkak të korrupsionit. Ne jemi sot në betejë me korrupsionin, jemi në betejë me Edi Ramën.”– tha Tedi Blushi.

Ish-deputeti Belind Këlliçi në demostratën e sotme tha se të tjerë drejtorë e kanë vendin në dosjen e famshme 5D.

“O do bëhet drejtësi, ose ne nuk tërhiqemi. Janë një sërë drejtorësh të tjerë që presin të akomodohen tek shokët. Herion Rapaj ne nuk të harrojmë, ti që vidhje votat e Kombinatit. Elton Kacidhja, banditi i Zall Herit, Arben Maloku, të gjithë e keni vendin aty ku janë pjesa tjetër e bandës. Por ju garantojmë se pa shkuar para drejtësisë kreu i bandës ne nuk tërhiqemi.”– tha Këlliçi i cili mes të tjerash i bëri thirrje Policisë të arrestojë dhe kryebashkiakun Erion Veliaj.

Kategori te tjeta

Artikuj te ngjashem

Ballinat e Tjera

Me te Lexuarat