“Babi jam unë, më duhen para” – Më shumë se 100 të arrestuar në Spanjë për mashtrimin që iu bë qytetarëve në “WhatsApp”

Më shumë se 100 persona janë arrestuar në Spanjë të akuzuar për vjedhjen e mijëra eurove nga qytetarë që ishin përdorues të WhatsApp-it, duke pretenduar se janë të afërm në vështirësi.

Policia tha se të arrestuarit ishin pjesë e një grupi kriminal që kishte marrë me mashtrim rreth një milion euro në total përmes mashtrimit. Gazeta El Pais raportoi se arrestimet u kryen midis shkurtit dhe prillit.

Të gjithë janë akuzuar për mashtrim, pastrim parash dhe pjesë e një organizate kriminale.

Guardia Civil, një nga forcat e policisë kombëtare të Spanjës, tha të martën se transfertat e parave varionin nga 800 në 55 mijë euro.

Të paktën 238 qytetarë që kishin rënë pree këtij mashtrimi u identifikuan vetëm në provincën e Alicante, raportoi El Pais. Arrestimet u kryen në Alicante, Barcelona, Girona, Madrid, Malaga dhe Valencia.

Arrestimet e fundit vijnë pasi Policia Nacional, forca tjetër mbarëkombëtare e Spanjës, njoftoi në janar se kishte kapur 59 anëtarë të një bande kriminale që kishte mashtruar duke marrë mbi 460 mijë euro duke përdorur të njëjtën metodë “djali në telashe”.

Në formën më të thjeshtë të mashtrimit, mashtruesit pretendojnë se janë të afërm duke përdorur një numër të ri në rast urgjence dhe kërkojnë që viktima t’i dërgojë para. Ata shpesh pretendojnë se telefoni i tyre ka humbur ose dëmtuar dhe ata janë bllokuar nga llogaria e tyre bankare.

Edhe banorë të Britanisë së Madhe kanë rënë “pre” e mashtrimit, siç shkruan BBC. Në nëntor, Policia e Nottinghamshire nxori një paralajmërim pasi regjistroi një “rritje” në raportet e kriminelëve që përpiqeshin të merrnin kontrollin e llogarive të WhatsApp për të synuar kontaktet e tyre.

Action Fraud – një qendër raportimi për mashtrimin në Mbretërinë e Bashkuar – tha se mori 1,235 raporte të kriminelëve që paraqiteshin si të dashurit në nevojë në WhatsApp midis 3 shkurtit dhe 21 qershorit 2022. Kjo është pothuajse në të njëjtën kohë kur mashtrimi filloi të shfaqej në Spanjë – duke arritur në një humbje totale financiare prej 1.5 milion Paund. Nuk dihet nëse mashtrimet në Spanjë dhe në Mbretërinë e Bashkuar janë të lidhura.

Kategori te tjeta

Artikuj te ngjashem

Ballinat e Tjera

Me te Lexuarat