Gjyqi i parë që ndiqet live në Kazakistan, momenti kur ish-ministri rreh për vdekje bashkëshorten

Momentet e fundit të gruas së një ish-ministri në Kazakistan u treguan të mërkurën me video në procesin gjyqësor më të ndjekur të këtij vendi.

Pamjet tregojnë astrologen 31-vjeçare Saltanat Nukenova, që rrihet e tërhiqet prej flokësh nga bashkëshorti i saj, ish-ministri i Ekonomisë Kuandyk Bischimbayev. Siç shkruan Daily Mail, ngjarja ndodhi në nëntor 2023 në një restorant në pronësi të një prej të afërmve të ish-ministrit.

Bishimbayev, i cili u akuzua për torturimin dhe vrasjen e saj, për javë të tëra qëndroi i pafajshëm, por të mërkurën më në fund pranoi në gjykatë se e kishte rrahur dhe “pa dashje” i kishte shkaktuar vdekjen e saj. Disa nga pamjet ishin publikuar edhe më herët në rrjetet sociale, por tani Bishimbayev u përball për herë të parë me to.

Gjyqi në fjalë duket se ka prekur një nerv në vendin e Azisë Qendrore. Dhjetëra mijëra njerëz kanë dalë nëpër protesta kundër dhunës në familje dhe kanë nënshkruar peticione duke kërkuar dënime më të ashpra.

Po ashtu, më 11 prill, senatorët miratuan një projekt-ligj që ashpërson ligjet e abuzimit bashkëshortor dhe Presidenti Kassym-Jomart Tokayev e nënshkroi atë katër ditë më vonë. Është quajtur “Ligji i Saltanatit” për nder të Saltanat Nukenova.

Kazakët i kanë sytë tek gjyqi i Bishimbayev, i cili është i pari në vendin me mbi 19 milionë njerëz që transmetohet në internet dhe debatet rreth tij po mbizotërojnë në mediat sociale. Shumë e shohin atë si një moment të së vërtetës për premtimet e Tokayevit për reforma dhe për t’i bërë zyrtarët përgjegjës.

Avokatët e Bishimbayev fillimisht kundërshtuan provat mjekësore që tregonin se 31-vjeçarja Nukenova vdiq nga goditjet e përsëritura në kokë. Ata gjithashtu e portretizuan gruan si të prirur për xhelozi dhe dhunë, megjithëse asnjë video nga kamerat e sigurisë së restorantit që u shfaq në gjykatë nuk e tregonte atë duke sulmuar Bishimbayev. Përkundrazi, një video më në fund hodhi dritë mbi ngjarjen duke e treguar Bishimbayevin duke ushtruar dhunë ndaj saj, vetëm disa orë para se të vdiste.

Aitbek Amangeldy, vëllai i madh i Nukenovës dhe një dëshmitar kyç i prokurorisë, i tha Associated Press se ai nuk kishte dyshim se fati tragjik i motrës së tij ka ndryshuar qëndrimet rreth dhunës në familje në vendin e tij.

“Kjo ndryshon mendjen e njerëzve kur shohin drejtpërdrejt se si duket kur një person torturohet.”- tha Amangeldy në një intervistë duke iu referuar videos tronditëse të luajtur në gjykatë.

Kategori te tjeta

Artikuj te ngjashem

Ballinat e Tjera

Me te Lexuarat