
Ditën e sotme Policia Kufitare dhe Roja Bregdetare ka njoftuar se kanë shpëtuar 12 njerëz, nga të cilët 11 ishin turistë nga vende të ndryshme, të cilëve ju rrezikohej jeta në mjetin lundrues që kishte pësuar defekt në det.
“Shtetasi E. L., 30 vjeç, banues në Vlorë, ka kërkuar ndihmën e Policisë pasi përballë porit të Vlorës, mjeti i tij lundrues, kishte pësuar defekt në motorr.
Shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Triport, me marrjen e njoftimit, u nisën menjëherë me një mjet lundrues dhe në bashkëpunim me mjetin lundrues të Rojes Bregdetare, bënë të mundur të shpëtojnë 12 shtetasit që ndodheshin në bordin e mjetit lundrues, ku 11 prej tyre ishin turistë, nga vende të ndryshme si Polonia, Franca, Izraeli e Belgjika.”-njoftoi Policia.
Turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Policia thotë se pronari i mjetit lundrues u ndëshkua me masë administrative 100 000 lekë, ndërsa mjeti lundrues i tij u bllokua, pasi nuk ishte i pajisur me Çertifikatën e Operatorit Turistik Detar.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar Ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili thotë se operatorët turistikë duhet të kuptojnë se nuk mund të dalin në lundrim të pa certifikuar.
“Policia Kufitare dhe Roja Bregdetare janë në çdo moment në krye të detyrës për të ofruar ndihmë, siç edhe ka ndodhur sot. Por operatorët turistikë duhet të kuptojnë që nuk mund të dalin në lundrim të paçertifikuar dhe se në çdo rast masat ndërshkimore do të jenë të ashpra dhe mjetet detare do të bllokohen sipas ligjit. Nuk mund të rrezikohet kurrësesi nga papërgjegjshmëria jeta e pushuesve.”– shkruan Balla.

Njoftimi i policisë mbi ngjarjen:
Policia Kufitare dhe Roja Bregdetare shpëtojnë 12 shtetas, nga të cilët 11 turistë nga vende të ndryshme, të cilëve ju rrezikohej jeta në mjetin lundrues që kishte pësuar defekt në det.
Pronari i mjetit lundrues u ndëshkua me masë administrative 100 000 lekë, ndërsa mjeti lundrues i tij u bllokua, pasi nuk ishte i pajisur me Çertifikatën e Operatorit Turistik Detar.
Shtetasi E. L., 30 vjeç, banues në Vlorë, ka kërkuar ndihmën e Policisë pasi përballë porit të Vlorës, mjeti i tij lundrues, kishte pësuar defekt në motorr.
Shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Triport, me marrjen e njoftimit, u nisën menjëherë me një mjet lundrues dhe në bashkëpunim me mjetin lundrues të Rojes Bregdetare, bënë të mundur të shpëtojnë 12 shtetasit që ndodheshin në bordin e mjetit lundrues, ku 11 prej tyre ishin turistë, nga vende të ndryshme si Polonia, Franca, Izraeli e Belgjika.
Shërbimet e Policisë Kufitare pasi kanë tërhequr drejt portit mjetin lundrues ku ndodheshin turistët, kanë kryer verifikimet nga të cilat ka rezultuar se mjeti lundrues i dalë në lundrim nga SPK Triport, është mjet lundrues për përdorim personal dhe nuk është i pajisur me Çertifikatën e Operatorit Turistik Detar.
Mjeti lundrues u bllokua dhe shtetasi E. L. u ndëshkua me masë administrative gjobë në masën 100 000 lekë, bazuar në Ligji Nr. 43/2020 “Për operatorët turistikë detar”.
Turistët të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore kanë falënderuar shërbimet e Policisë dhe të Rojës Bregdetare për ndihmën dhe reagimin e shpejtë.