Mësuesit janë mbledhur në qendër të Tiranës për të protestuar për paga më të larta dhe kushte më të mira pune sot më 1 Maj, Ditën Ndërkombëtare të Punës.
Grupi i mësuesve marshuan në mënyrë paqësore drejt Ministrisë së Arsimit, ndërsa mbanin disa fletushka e banderola në duar.
“Nuk ka arsim cilësor pa mësues të mirëpaguar!” – lexohet në banderolën kryesore të tyre.
Të tjera pankarta lexojnë: “Shpërblim në fund të vitit për mësuesit”, “Ta bëjmë më tërheqës profesionin e mësuesit”.
Në një prononcim për mediet, një nga përfaqësuesit e sindikatës u shpreh se qeveria duhet të marrë masa urgjente për të përmirësuar gjendjen e arsimit në Shqipëri.
“Kërkesa jonë kryesore është që qeveria të marrë masa urgjente për të përmirësuar gjendjen e arsimit në Shqipëri. Ne, Sindikatat e Arsimit kemi kërkuar në të gjitha takimet qe kemi bërë që pa një buxhet 5 % të GDP për arsimin, nuk mund të ketë arsim cilësor në Shqipëri pa mësues të mirëpaguar.
Nëse nuk ka paga dinjitoze atëherë profesioni i mësuesit nuk do të jetë profesion i kërkuar nga të rinjtë. Ata që shkojnë në degën e mësuesisë janë ata me nota më të ulta.”- tha përfaqësuesi i sindikatës.