Deputetit Dogjani i soset durimi me institucionet që nuk i zgjidhin hallin e pallatit: Ose na e zgjidhni, ose do bëjmë vetëgjyqësi

Deputeti i opozitës Asllan Dogjani ka debatuar me drejtuesen e seancës së sotme parlamentare Ermonela Felaj, pasi ai nuk arriti ta përfundonte fjalimin e tij brenda kohës që iu dha dhe nuk pranonte të ikte nga foltorja pa mbaruar.

Ai tha se po denonconte vjedhjen e pronës publike nga privati, përballë pallatit ku banon ai. Dogjani e ka fjalën për ish-Kopshtin 33, në rrugën Hamit Shijaku në Tiranë. Sipas tij, prona publike është legalizuar padrejtësisht nga një ndërtues dhe në vend të bëhej lulishte për banorët e pallatit sikurse ishte planifikuar, është kthyer në parkim mjetesh.

Deputeti u ankua për institucionet e shtetit që nuk po i japin zgjidhje problemit të banorëve të pallatit dhe shtoi se nëse nuk gjen zgjidhje, do detyrohen të bëjnë vetëgjyqësi.

Fjala e Dogjanit: Kemi bërë kallëzim në Prokurori. I vetmi institucion që ka reaguar, fatmirësisht që ka reaguar është Drejtoria e Përgjithshme e Kadastrës. Kadastra ka anuluar vendimin e vet sepse e ka parë që është legalizuar në kundërshtim me ligjin sepse një pronë publike nuk mund të legalizohet. Por këtë nuk e ka parë Prokuroria. Megjithë praktika, me të gjitha shkeljet e nxjerra nga Drejtoria e Përgjithshme e Kadastrës, Prokuroria nuk e ka parë dhe ka çuar kallëzimin që kanë bërë banorët për ta pushuar në Gjykatë. Shpresojmë që Gjykata do të veprojë në mënyrë të pavarur duke u bazuar në ligj. Përveçse e ka legalizuar këtë pronë, e ka marrë dhe pjesën tjetër deri tek dera e Pallatit dhe Bashkia ia shtron me pllaka me taksat e qytetarëve të Tiranës. Ia bën edhe më të bukur. Ka marrë edhe tre roje atje. Njerëzit me karrocë, nënat s’kanë nga të kalojnë. Mos o zot me pas një njeri të sëmurë.

Unë i kam të gjitha letrat. Këtu është vendimi i Komisionit të Ndërtimit të Pronave, këtu është leja e ndërtimit në 2005 që e detyronte ndërtuesin ta bënte lulishte dhe jo parking privat. Lulishte që të moshuarit dhe nënat me fëmijë të ulen. Këtu kemi kërkesë në 2022 drejtuar Artan Lames. Këtu kemi kërkesë drejtuar Erion Veliajt. Këto i tregoj me treguar sa probleme kanë qytetarët. Kur i kam unë që jam deputet, imagjino që unë jam deputet që nuk e ul kokën. Po qytetarët? Këtu kemi një korrespondencë, një mesazh që i kam dërguar unë Edi Ramës.

(Dogjani u sinjalizua se po i mbaronte koha) Të lutem mos, sepse është një problem shumë i ndjeshëm më lër pak kohë sepse do ia marr dikujt tjetër. Po i marr pak shpejt me radhë, Shikoni se sa letra janë. Dhe nuk kemi kthim përgjigje. Përsëri Erion Veliajt.

Felaj: Ju lutem përfundoni brenda një minute.

Dogjani: Ju lutem zonjë sepse është problem shumë sensitiv. Këtu është e gjithë praktika, anulimi që ka bërë Kadastra. Kemi të gjitha këto kërkesa dhe unë do ia vë në dispozicion zv.ministres se përndryshe do i drejtohemi ndonjë shteti tjetër. Se tashmë i kemi ezauruar të gjitha institucionet. Sa herë vijnë ata thonë është ankuar deputeti, marrin ndonjë lekë e ikin.

Felaj: Faleminderit…

Dogjani: Ja ja një sekondë se mbarova. Nuk është problem i thjeshtë ky. Është problem në të gjithë Tiranën.

Felaj: Mund ta drejtonit problemin brenda 10 minutave.

Dogjani: A ka mundësi vetëm 30 sekonda? Rri ti të lutem.

Felaj: S’mund ta bllokoni seancën. Edhe unë pata aq mirëkuptim njerëzor sa t’ju lija juve një minutë. Ulu Asllan, e kupton edhe vetë që e ke pa të drejtë. E keni komplet pa të drejtë. (Dogjani vijon bërtet pa mikrofon). Është një kokëfortësi që nuk gjej dot si ta çmoj. Ju lashë kohë, s’ja vlen të bëj debat pa fund. Ju lutem tani mbarojeni. Të jetë hera e fundit.

Dogjani: Çfarë ke me mua mor vëlla?! 30 sekonda.

Dhe çfarë thotë ai mashtruesi atje, thotë Edi Ramën e kam në xhep. Unë e di që nuk i ka në xhep. Por që ju të mos bëni me faj dhe mos të bëheni bashkëpunëtorë se unë e di që Edi Rama nuk merr lekë nga parkimi i makinave.

Do ju kërkoja të vini në punë institucionet. Përndryshe do jeni fajtorë edhe ju. Dhe po ju them sinqerisht, do na detyroni o ta zgjidhim me vetëgjyqësi atë problem ose me gjithë mend t’i drejtohemi Albin Kurtit, atij shtetit tjetër. Zgjidheni! Po na marrin frymën hajdudat dhe mashtruesit. Ose pranoni që jeni mashtruesa edhe ju.

Kategori te tjeta

Artikuj te ngjashem

Ballinat e Tjera

Me te Lexuarat