Një ditë para 3 Majit, “Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit” gazetarë të terrenit janë mbledhur për të protestuar para hyrjes së Kuvendit.
Me pankarta të cilat përmbajnë mesazhe të shumta por që në thelb kanë të njëjtën gjë, lirinë e medias, kushtet e punës së gazetarëve, këta po protestojnë për të drejtat e tyre.
Një nga protestuesit është gazetari Isa Myzyraj, i cili u shpreh para kamerave se gazetarëve iu janë dërguar mesazhe kërcënuese nga politika.
“Gazetarëve iu janë dërguar mesazhe kërcënuese. Nga Politikanë apo personazhe të tjera. Janë identifikuar gjatë këtij viti 30 sulme ndaj gazetarëve dhe mediave. Sot dita e sotme duhet të jetë alarm për ne gazetarët dhe çdo politikan të zgjedhur.”– tha gazetari Isa Myzyraj duke bërë thirrje që politika duhet të reflektojë.
Sipas tij, është e paimagjinueshme që të intimidohen gazetarët nga politika. Ai edhe vetë në duar mbante një pankartë pikërisht me një nga këto mesazhe.
Mesazhi i pankartës
Pankarta që mban Myzyraj në duar, është pjesë e një bizede mes gazetares Ola Xama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Gazetarja kishte raportuar mbi hetimet e Prokurorisë së Posaçme për rolin e Veliajt në procedurat e kontratës koncesionare për trajtimin e mbetjeve në Tiranë.
Veliaj fillimisht nuk i ishte përgjigjur kërkesës së gazetares për koment, por një ditë pas publikimit i shkroi Xamës në “Whatsapp”, duke pretenduar se kishte ngatërruar faktet dhe e quajti atë “militante”. E më tej pas disa mesazhes i thotë se ajo “nuk ishte gazetare, por një killer me pagesë”.
Komentet për protestën e gazetarëve nga politika
Lidhur me protestën e gazdetarëve para Kuvendit, ka komentuar kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, i cili tha se këto raste sulmesh ndaj gazetarëve turpërojnë të gjithë politikën, jo vetëm ata që i kryen.
“I dënojmë sulmet ndaj medias. Liria e shtypit është një nga shtyllat e demokracisë. Gazetarët e terrenit kanë vështirësi ashtu si media ka qenë pre e autoritarizmit të Ramës. Janë raste që turpërojnë jo vetëm ata që e kanë kryer por të gjithë politikën.”- tha ai duke shtuar se gazetarët kanë mbështetjen e PD-së.
Një koment u bë edhe nga deputeti i PS-së Toni Gogu, i cili tha: “Vetëm ju mos t’ju cënojnë pa dashje. (qesh)”
Tjetër koment vjen nga Lulzim Basha. Ai thotë se gazetarët po mbahen për bukën e gojës.
“Sot jetojmë nga një ambient mediatik i dominuar nga interesat politikë. Pa zgjidhur këtë asgjë gjetër nuk zgjidhet dot. Edhe situate ekonomike e gazetarëve është derivat i kësaj.
Duke i mbajtur gazetarët për bukën e gojës, ata janë më të kontrollueshëm. Prandaj demi duhet kapur nga brirët. Kërkohet një angazhim më i madh politik dhe në radhë të dytë kjo që keni nisur ju, një qëndrim i qartë dhe i prerë. Sado presion të këtë ndaj pronarëve të medias, ata nuk bëjnë dot gjë nëse ndeshen me murin e gazetarëve. Edhe PD ka pjesë nga reflektimi i këtij problemi. Nuk mendoj se jemi shkaku i këtij problemi, por duhet të jemi pro luftimit të fenomenit të sulmeve ndaj gazetarëve. Duhet të mbështesim një faqe të re të medias shqiptare.”- tha ai.