Perëndimi i drejton gishtin Rusisë për ndërhyrjen në GPS që po ndikon fluturimet në Evropë

Ekspertët perëndimorë thonë se Rusia po shkakton ndërprerje në sistemet e navigimit satelitor duke prekur mijëra fluturime civile.

Deti Baltik, Deti i Zi dhe Mesdheu Lindor – rajonet ku ushtria ruse ka qenë më aktive – kanë raportuar një rritje të ndërprerjes në Sistemin e Pozicionimit Global (GPS). Kjo ka bërë që avionët të mos jenë në gjendje të marrin sinjale GPS.

Në muajin Mars, një avion me të cilin po udhëtonte Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Grant Shapps, iu bllokua sinjali GPS ndërsa fluturonte afër territorit rus.

Ndërprerja e vazhdueshme bëri që kompania ajrore finlandeze Finnair të pezullonte fluturimet ditore për në qytetin e dytë më të madh të Estonisë, Tartu, për një muaj, pasi dy avionë të saj u detyruan të ktheheshin në Helsinki për shkak të ndërhyrjes GPS.

Aeroporti Tartu mbështetet vetëm në GPS, ndryshe nga shumica e aeroporteve më të mëdha që kanë sisteme alternative navigimi që lejojnë aeroplanët të ulen edhe nëse sinjali humbet.

Juho Sinkkonen, zëvendëspresident i Finnair për operacionet e fluturimit, i tha BBC-së se avionët e tyre përballen me këtë problem çdo ditë.

“Pilotët po raportojnë rastet në mënyrë aktive dhe ne marrim më shumë se 100 raporte në muaj.”– tha ai.

Megjithatë, Sinkkonen tha se ndërhyrja GPS është kryesisht një shqetësim dhe mbart pak rreziqe. Kjo është për shkak se ndërsa një aeroplan është në fluturim – d.m.th. para afrimit dhe uljes në një aeroport – ai normalisht mund të përdorë sisteme të tjera navigimi, kështu që humbja e lidhjes me GPS nuk përbën një kërcënim të menjëhershëm për sigurinë e tij.

Të pyetur se ku qëndron faji, zyrtarët nga shtetet baltike nuk hezitojnë.

“Burimi i ndërhyrjes është Rusia.”– tha ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna për BBC.

“Ne kemi prova se ajo vjen nga Rusia dhe Rusia po shkel të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare”.

Tsahkna tha se burimet e ndërhyrjes ndodheshin pranë qyteteve ruse të Shën Petersburg, Kaliningrad dhe Pskov.

Kategori te tjeta

Artikuj te ngjashem

Ballinat e Tjera

Me te Lexuarat