Indeksi Botëror i Lirisë së Medias i Organizatës “Reporterët Pa Kufij”, e nxjerr Shqipërinë të fundit në rajon këtë vit.
Organizata shpreh shqetësim për gjendjen e lirisë së shtypit në botë e cila sipas saj po kërcënohet pikërisht nga ata që duhet të ishin garantuesit e saj, autoritetet politike.
“Në Shqipëri, liria e shtypit dhe pavarësia e medias kërcënohen nga konfliktet e interesit midis botës së biznesit dhe asaj politike, një kuadër ligjor me të meta dhe rregullore partiake. Gazetarët janë viktima të akteve të frikësimit nga politikanët dhe krimi i organizuar.”- thuhet në raport.
Në Indeksin që përfshin 180 vende, Shqipëria radhitet në vendin e 99-të. Kosova radhitet e 75-ta. Serbia nga ana tjetër, gjendet një vend sipër Shqipërisë. Mali i Zi renditet në vendin e 40, kurse Maqedonia e Veriut në vendin e 36.
Organizata “Reporterët Pa Kufij” vlerëson se mjedisi për lirinë e shtypit në Shqipëri “është i vështirë”. Ajo ka humbur tre vende krahasuar me një vit më parë, kur listohej e 96-ta.
Nga pesë treguesit e përdorur për të bërë renditjen përkatëse, më shumë ka rënë treguesi politik, duke regjistruar një rënie mesatare vjetore globale prej 7.6 pikë.
Indeksi e klasifikon nivelin e shtypit si “të mirë”, “të kënaqshëm”, “problematik”, “të vështirë” ose “shumë të rrezikshëm”.
Në këtë renditje, në krye qëndron Norvegjia për të tetin vit radhazi, ndërsa tre vendet e fundit, me gjendjen më të keqe të lirisë së shtypit në botë janë Afganistani, Siria dhe Eritrea.