
Ish-kryeministri britanik, Boris Johnson, ka harruar kartën e identitetit kur shkoi të votonte në zgjedhjet lokale të mbajtura dje në Mbretësinë e Bashkuar.
Sikurse raportojnë mediet britanike, Johnson u paraqit në mëngjes në një qendër votimi në Oxfordshire të Jugut, por ra në kundërshtim me legjislacionin që vetë ka prezantuar në kohën kur ishte kryeministër: që votuesit të tregonin kartën e identitetit gjatë votimit.
Por këtë të enjte kur erdhi koha për të votuar, ai vetë e kishte harruar të sillte të tijën. Si rezultat, stafi i qendrës së votimit duhej ta largonte ish-udhëheqësin e Partisë Konservatore.
Johnson gjithsesi nuk mbeti pa votuar, pasi iku në shtëpi për të marrë kartën dhe u kthye përsëri më vonë për të hedhur votën e tij.
Shfaqja e një dokumenti me një fotografi që identifikon votuesin ka qenë i detyrueshëm që kur ligji i zgjedhjeve 2022 hyri në fuqi një vit më parë.
Sipas Komisionit Zgjedhor, rreth 14 mijë njerëz nuk ishin në gjendje të votonin në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar në Angli si rezultat i rregullave të reja.
Ka 22 forma të pranueshme të konfirmimit të identitetit, duke përfshirë pasaportat, patentat e drejtimit, lejet e autobusit për personat e moshuar ose me aftësi të kufizuara dhe kartat Oyster 60+.
Personat që janë të regjistruar për të votuar mund të aplikojnë gjithashtu për një dokument falas të njohur si Certifikatë e Autoritetit të Votuesve.
Zgjedhjet po zhvillohen në 107 autoritete vendore në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.