
Djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzeni e ka ndjerë të nevojshme të mohojë që është takuar me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
“Sot lexova për një trillim të përcjellë në një studio televizive për gjoja një takim timin me Erion Velinë para shumë vitesh.
Së pari sado qesharak pretendimi, në respekt të vërtetës dhe të opinionit më duhet të sqaroj se nuk jam takuar KURRË me personin në fjalë ASKUND dhe ASNJËHERË.”– shkruan Shkëlzen Berisha.
Më pas shton se me Veliajn e lidh vetëm neveria ndaj shpifjeve të adresuara sipas tij nga Veliaj ndër vite, drejt tij dhe të afërmve të tij.
Si argument të dytë, ai shton se arsyeja pse po reagon është se nuk do që emri i tij të “përdoret si instrument në luftën e brendshme të grupeve e klaneve në pushtetin e kalbëzuar të Edi Ramës, që sot e gjithë ditën, helmojnë dynjanë duke spiunuar e shpifur për njëri tjetrin!”
E si arsye të tretë, ai jep këtë: “ky sqarim bëhet dhe për ata pseudo opozitarë që mungesën ULËRITËSE të reagimit ndaj vjedhjes së 160 milonë eurove në aferat e inceneratorëve dhe kompanise 5D, kërkojnë dëshperimisht ta fshehin e justifikojnë pas çdo trillimi e shpifje për të bërë opozitën e opozitës për llogari të pushtetit.”
Ky reagim i Berishës erdhi si nevojë për të përgënjeshtruar fjalët që gazetari Ylli Rakipi tha gjatë programit të tij televiziv mbrëmjen e së enjtes.
Ai tregoi se si në një mbrëmje, në një restorant makaronash ka gjetur në të njëjtën tavolinë kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, djalin e Sali Berishës, Shkëlzenin dhe kolegun e tij gazetar Çim Peka.
“Vetë në një mbrëmje, mbarova emisionin dhe vete. E gjej dhe mbeta i shastisur dhe nuk fjeta. Me kë e gjeta?! E gjeta me kolegun Çim Peka dhe Shkëlzen Berishën. Mbeta shumë i habitur dhe ata më shikonin ç’është kjo habi e madhe e imja.”-tha gazetari.
Pas reagimit të Shkëlzen Berishës nisën shumë reagime e komente nga bota e medias dhe politikës lidhur me këtë. Mes tyre edhe gazetari Mero Baze, i cili thotë se tanimë Rakipit po i bëhet presion ta tërheqë deklaratën: “Dje, deri në mesnatë, e kanë futur nën presion Ylli Rakipin, ta hiqte deklaratën nga faqja e portalit të tij, edhe pse ajo është me zë e figurë në dhjetëra portale të tjera, përfshi dhe Temën. I janë lutur dhe disa bashkëpunëtorë të Shkëlzenit në emision, në shenjë solidariteti për dëmtimin e kauzës.”
Baze thotë se shqetësim nuk është takimi, po fakti që Shkëlzen Berisha fshihet dhe mashtron ata poshtë ballkonit të të atit.
“Unë mendoja se do shqetësohej Erion Veliaj, por në fakt qenka alarmuar Shkëlzen Berisha. Paska bërë një reagim të gjatë që shpjegon se deklarata e Ylli Rakipit, që e kanë ftuar në një tavolinë ku ka qenë Çim Peka me Erion Veliajn, është e stisur për luftë klanesh brenda partisë së Edi Ramës. Me pak fjalë i bie që Ylli Rakipi të jetë pjesë e klaneve të Edi Ramës dhe ka dash të dëmtojë Erion Veliajn, por paska dëmtuar rëndë Shkëlzen Berishën.
Problemi është që Shkëlzeni dashka dhe leje, dhe kulla, dhe kauza.”- thotë ai.
Ku nisi gjithçka
Tani shumë po komentohet për këtë, por strumbullari i gjithë kësaj është pikërisht kryebashkiaku Erion Veliaj. Rakipi duket se e tregoi këtë takim të kryebashkiakut, si hakmarrje ndaj tij pasi ai e kishte sulmuar gjatë mbledhjes së famshme të Këshillit Bashkiak, mes shumë analistëve megjithëse nuk përmendte emra.
“Mjafton të shikoje dje emisionet dhe kupton se kemi bashkuar bashkë të gjithë llumin. Secili prej analistëve ka kërkuar diçka në bashkinë e Tiranës. E di ai se çfarë ka kërkuar Ben Rreli për atë portalin që nuk jepet leje në kopshtin zoologjik. E di ai tjetri çfarë ka kërkuar për sondazhet që nuk I bën dhe faturon shifra të panevojshme dhe kur nuk e duan në Kosovë, në Shqipëri e shohin akoma me më përbuzje. Njerëzit më të poshtër që Kosova i ka përzënë nuk qasen në Bashkinë e Tiranës dhe nuk kanë pikë aksesi. Ai që ka ndërtuar pallat në mes të bllokut e ka shumë të lehtë të bëjë emision sepse ky kryetar bashkie nuk e lë më të bëjë pallat në mes të bllokut duke ua vjedhur motrave fetare tokën e vet. Secili prej maskarenjve që është aty përballë ka interesin e vetë, ka fundshpinën e vet në interes, nuk i qan hallin as për pastrimin as për shkollat. Shumica e analistëve që nuk kanë qenë mentor i askujt, burra nga 55, 60, 65 vjeç rrinë natën në TV sikur janë tek peshqirat apo sikur po shikojnë Pornhub si pitbulla që shqyejnë çdo gjë që u del përpara. Jam krenar për gjithë llumin e bashkuar kundër nesh.” – shprehej Veliaj pak ditë më parë.
Tanimë në studiot e emisioneve, nuk po diskutohet për Veliajn në SPAK, por për darkën e tij me Shkëlzen Berishën.