
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi këtë të shtunë përfundimin e hetimeve dhe ka dërguar për gjykim çështjen ndaj biznesmenit Pëllumb Gjoka, si dhe të bashkëpunëtorëve të tij, mes tyre një prokuror dhe dy funksionarë policie. Kliko këtu për njoftimin e SPAK-ut.
I zgjedhuri si “investitor strategjik” Pëllumb Gjoka, 49 vjeç, u arrestua në korrik të vitit të kaluar si anëtar i dyshuar i një organizate kriminale që kishte kryer ndër të tjera vrasje dhe pengmarrje.
Gjoka është pronar i kompanisë “Imperial Group”, me aktivitet në fushën e investimeve në turizëm dhe në lojërat e fatit.
Të pandehurit Pëllumb Gjoka, Behar Brajoviq (Bajri), Edmond Preka, Astmer Bilali, Ardrit Hasanbegaj, ish-zyrtari i lartë policor, Oltion Bistri dhe ish-prokurori Xhevahir Lita u arrestuan në kuadër të operacionit të koduar “Metamorfoza”, hetimet për të cilin nisën pas dekodimit nga francezët dhe belgët të mesazheve në aplikacionit “SkyECC”.
Nëntë të tjerë janë shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni, mes të cilëve edhe i zhdukuri Ervis Martinaj, fati i të cilit nuk dihet.
Ndërsa biznesmeni Gjoka dhe i ashtuquajturi “i forti i Shkodrës” Bajri po shkojnë për gjykim, në prapaskenë po bëhen lëvizjet për të krijuar lehtësira për ta.
Pak ditë më parë, Busulla.co raportoi se rreth datës 15 Prill, drejtori i Burgjeve Klevis Qosja është ulur me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahirin dhe kanë drekuar së bashku (Kliko këtu).
Në këtë takim Tahiri ka kërkuar që Qosja të krijonte lehtësira për Behar Bajrin dhe Pëllumb Gjokën.
Klevis Qosja e njeh në qelizë sistemin e burgjeve, si ish-drejtues në SHKB, ai tashmë po e perfeksionon sistemin e favorizimeve klienteliste dhe burgjet janë të mbushura me pajisje të paligjshme dhe tejkalime të tjera.