Laburisti Sadiq Khan ka fituar mandatin e të tretë radhazi si kryebashkiak i Londrës.
Khan, i cili u zgjodh për herë të parë në maj të vitit 2016, mundi rivalen e tij konservatore Susan Hall me më shumë se 276 mijë vota.
Siç shkruan BBC, ai fitoi nëntë nga 14 zonat elektorale duke përfshirë këtu edhe dy fitore nga konservatorët.
Më shumë se 2.4 milionë vota u hodhën duke reflektuar një pjesëmarrje prej 42.8% – shumë më pak në krahasim me zgjedhjet për kryetar bashkie të vitit 2021.
NË një dalje pas shpalljes së fitores së tij në City Hall në lindje të Londrës, Khan tha: “Është nderi i jetës sime t’i shërbej qytetit që dua”.
“Unë jam mëse i përulur tani.”– shtoi ai. “Kanë qenë disa muaj të vështirë. Ne u përballëm me një fushatë të pandërprerë negativiteti. Jam krenar që iu përgjigjëm frikësimit me fakte.”
Khan e përdori fjalimin e tij të fitores për të nxitur kryeministrin konservator Rishi Sunak të thërriste zgjedhje të përgjithshme.
Rivalja e tij kryesore zonja Hall më pas e uroi zotin Khan për fitoren e tij pasi ajo tha se fushata për të qenë kryetare bashkie kishte qenë një “nder dhe privilegj” i madh për të.
Ajo shtoi: “Unë do të vazhdoj të kërkoj llogari nga Sadiq, për familjet punëtore, shoferët dhe gratë.”Po ashtu i kërkoi kryebashkiakut ta bëjë “Londrën më të mirë për të gjithë”.