Zbardhet vrasja e çiftit të të moshuarve në fshatin Brodishtë të Dropullit.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, Ardian Çipa, doli në një konferencë për shtyp këtë të dielë dhe deklaroi se autori i dyshuar i krimit është Thoma Mastora, bashkëfshatar i viktimave.
“Ata ishin goditur me sende të forta. Nga kontrolli në banesë u arrit që të gjendeshin dhe një vlerë prej 5 milionë lekësh të reja. 35 persona u shoqëruan, u kryen vlerësime dhe eksperimente hetimore. U arrit të sqarohej dokumentimi i kësaj ngjarje dhe të identifikohej autori. Autori i këtij krimi Thoma Mastora, 65 vjeç, banues në këtë fshat, i dënuar më pare.”– tha Çipa.
Ai shtoi se i dyshuari për vrasjen, më parë ka qenë i dënuar për vjedhje dhe dyshohet se mes tij dhe çiftit ka pasur konflikte të vazhdueshme.
Çifti i bashkëshortëve Kosta dhe Kleoniqi Ilia u gjetën mëngjesin e së enjtes të vdekur në banesën e tyre në fshatin Bodrisht të Dropullit.
Autori i krimit makabër ditën e ngjarjes ka shkuar në banesën e çiftit të të moshuarve, aty ku dyshohet se edhe ka pirë kafe me këto të fundit dhe më pas i ka vrarë me sende të forta.
E moshuara u gjet e pajetë në banesë, ndërsa 84-vjeçari u gjet i vdekur në oborrin e banesës së tyre.
Çifti nuk kishin fëmijë biologjikë, por kishin një vajzë të birësuar të cilën nuk e kishin takuar prej 10 vitesh, e cila jetonte në Greqi.