Doli natën për qejf, drogohet dhe abuzohet seksualisht deputetja në Australi

Një deputete në Australi, Brittany Lauga thotë se javën e kaluar ajo është droguar dhe sulmuar seksualisht dhe ka kërkuar ndihmën e Policisë t’i japë drejtësi.

Lauga e cila është gjithashtu ndihmësministre e shëndetësisë tha se ajo u sulmua në fundjavë pasi kishte dalë për qejf në zonën e saj elektorale të Yeppoon, në Queensland.

“Kjo mund t’i kishte ndodhur kujtdo dhe tragjikisht, kjo ndodh me shumë prej nesh.”- tha ajo.

Incidenti vjen pas protestave që janë zhvilluar në përgjigje të dhunës së fundit ndaj grave. Deputetja 37-vjeçare fillimisht shkoi në një stacion policie dhe më pas në spital më 28 prill.

“Testet në spital konfirmuan praninë e barnave në trupin tim, të cilat unë nuk i mora.”– tha ajo në një deklaratë të postuar në rrjetet sociale, duke shtuar se substanca kishte ndikuar.

Siç shkruan BBC, zonja Lauga thuhet se u kontaktua nga gra të tjera të cilat thanë se ishin droguar gjithashtu në të njëjtën mbrëmje.

“Nuk është në rregull. Ne duhet të jemi në gjendje të shijojmë socializimin në qytetin tonë pa rrezikun e drogimit ose sulmit.”– tha ajo, duke shtuar se asaj i duhej kohë për “t’u shëruar fizikisht dhe emocionalisht”.

Policia tha se nuk janë bërë raportime të tjera në të njëjtën zonë, por po kërkon nga këdo që ka informacion ose që ka përjetuar diçka të ngjashme të kontaktojë me ta.

Ministrja e Strehimit në Queensland, Meaghan Scanlon thotë se ngjarja është tronditëse.

“Brittany është një kolege, ajo është një mike, ajo është një grua e re në parlamentin e Queensland dhe këto janë vërtet gjëra tronditëse për t’u lexuar.”– tha zonja Scanlon.

“Është e papranueshme që gratë janë në mënyrë disproporcionale viktima të dhunës në familje, familjare dhe seksuale. Qeveria jonë do të vazhdojë të bëjë gjithçka që mundemi për të mbrojtur gratë dhe për të ndaluar shfaqjen e dhunës.“-shtoi ajo.

Kategori te tjeta

Artikuj te ngjashem

Ballinat e Tjera

Me te Lexuarat