Izraeli bllokon transmetimin e “Al Jazeera”

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka njoftuar se Al Jazeera do të mbyllet në Izrael.

Netanyahu akuzoi rrjetin në pronësi të Katarit për “nxitje” dhe tha se vendimi i kabinetit kishte qenë unanim.

Al Jazeera nga ana tjetër e dënoi këtë veprim si “kriminal“.

Siç shkruan BBC, gazetarëve të huaj u ndalohet hyrja në Gaza dhe stafi i Al Jazeera-s ka qenë disa nga gazetarët e vetëm në terren.

Për vite me radhë, zyrtarët izraelitë kanë akuzuar rrjetin për paragjykime anti-izraelite.

Por kritikat e tyre ndaj transmetuesit janë intensifikuar që nga sulmet e Hamasit më 7 tetor, në të cilat 1200 njerëz u vranë dhe më shumë se 250 u morën peng. 128 prej atyre pengjeve janë ende të pagjetur – dhe mes tyre, të paktën 34 supozohen të vdekur.

Të paktën 34,683 palestinezë janë vrarë dhe 78,018 janë plagosur në Gaza që nga 7 tetori, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.

Autoritetet izraelite thonë se Al Jazeera ka lidhje të ngushta me Hamasin, gjë që rrjeti e mohon me forcë.

Muajin e kaluar, parlamenti izraelit miratoi një ligj që i jep qeverisë fuqinë për të mbyllur përkohësisht transmetuesit e huaj që konsiderohen si kërcënim për sigurinë kombëtare gjatë luftës kundër Hamasit.

Ministri i Komunikimeve Shlomo Karhi tha se ndalimi “do të hyjë në fuqi menjëherë” dhe duhet të riçertifikohet çdo 45 ditë.

Sipas urdhrit të përkohshëm, mund të rezultojë gjithashtu në mbylljen e zyrave, heqjen e faqes së saj të internetit dhe sekuestrimin e pajisjeve.

Katari, ku është selia e Al Jazeera, po ndërmjetëson bisedimet midis Izraelit dhe Hamasit mbi konfliktin tashmë gati shtatë-mujor. Negociatat e mëparshme të ndërmjetësuara nga Katari çuan në një armëpushim të përkohshëm dhe lirimin e 105 pengjeve izraelitë.

Rrjeti ka akuzuar Izraelin se po synon qëllimisht stafin e tij.

Disa gazetarë duke përfshirë dhe Hamza Al-Dahdouh, djali i shefit të zyrës së Al Jazeera për Gazën Ëael Al-Dahdouh, janë vrarë nga sulmet izraelite. Por Izraeli mohon të ketë vënë në shënjestër gazetarët.

“Shtypja e shtypit të lirë nga Izraeli për të mbuluar krimet e tij duke vrarë dhe arrestuar gazetarë nuk na ka penguar të kryejmë detyrën tonë.”– tha rrjeti në reagimin e tij pas ndalimit të së dielës.

Kategori te tjeta

Artikuj te ngjashem

Ballinat e Tjera

Me te Lexuarat