
Një nënë në Shkodër rezulton e zhdukur prej tre ditësh, bashkë me 3 fëmijët e saj. Ajo është Alma Arrazi, 39-vjeçe. Fëmijët e mitur janë dy vajza dhe një djalë të moshës 8, 6 dhe 4 vjeç. Këtë të dielë policia ka njoftuar se një prej fëmijëve është gjetur nga një peshkatar në ujërat e lumit Buna.
Dyshohet se edhe dy fëmijët e tjerë dhe nëna kanë humbur jetën. Sipas uniformave blu, nëna dhe fëmijët mund të jenë larguar nga banesa për shkak të dhunës së ushtruar nga babai, Ergys Arrazi. Ky i fundit është ndaluar nga Policia.
Fëmija që u gjet nga peshkatari në mënyrë rastësore një ditë më parë është njëra nga vajzat.
“Bazuar në hetimet e kryera dhe inteligjenca policore, dyshohet se shkaku i largimit nga banesa ishte dhuna e ushtruar nga 31-vjeçari, ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve, të cilët dyshohet se mund të kenë kryer vetëvrasje. Më datë 04.05.2024, u bë ndalimi i shtetasit E. A., 31 vjeç (i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike), për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”- thotë policia.
Ndërkohë palombarët e forcave RENEA janë duke bërë kërkime për trupat e tre personave të tjerë.
Kush është Ergys Arrazi?
Ai është vëllai i Edison Arrazit, ky i fundit i dënuar më herët për posedim dhe kultivim të lëndëve narkotike.
Gjithashtu, ai ka qenë akuzuar edhe për vrasjen e Endri Mustafës me 6 plumba në trup më 17 maj 2021. Por, Edison Arrazi u la në burg vetëm për posedim kanabisi, pasi nuk rezultoi e provuar se ishte i përfshirë në ngjarje.


