DASH ndërpret eksitimin në rrjet për shkarkimin e Gabriel Escobar: Nuk është e vërtetë

Mbrëmë dhe sot qarkulluan disa lajme se Zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit Gabriel Escobar është shkarkuar nga detyra si i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, e për këtë pati një sërë reagimesh para kohe në rrjet.

E tanimë Departamenti Amerikan i Shtetit është detyruar të hedhë poshtë lajmet zyrtarisht. Një zëdhënës i DASH thotë se Escobar nuk është shkarkuar, por do të lëvizë gjatë javëve në vijim për një detyrë tjetër në shërbimin diplomatik amerikan, në kuadër të një rotacioni të planifikuar prej kohe.

“Pretendimet e bëra nga Vudi Xhymshiti janë vërtet të rreme. Zëvendës Ndihmës Sekretari Gabriel Escobar nuk është shkarkuar nga posti i tij. Të gjithë oficerët e Shërbimit të Jashtëm në karrierë i ndërrojnë detyrat me rotacion çdo një deri në katër vjet si një praktikë e rregullt. Si oficer karriere i Shërbimit të Jashtëm, Zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar ka shërbyer në rolin e tij aktual për tre vjet dhe pritet të kalojë gjatë në detyrën e tij të ardhshme në javët e ardhshme. Deri në tranzicionin e tij të planifikuar, ai mbetet në rolin e tij si Zëvendës Ndihmës Sekretari dhe i Dërguari Special në zyrën e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike si dhe i Dërguari Special për Çështjet e Ballkanit Perëndimor.”– thuhet në një reagim të zëdhënësit të DASH-it për Gazetën Express.

E gjitha nisi pasi në postimet e tij në rrjetin X, kryeredaktori i “The Frontliner” Vudi Xhymshiti pretendonte se diplomati amerikan Escobar është larguar nga detyra si i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor për shkak të lidhjeve financiare të familjes së tij me institucione shtetërore serbe, respektivisht të bashkëshortes së Escobar me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë si dhe një kontrate ligjore ndërmjet Republikës Serbe dhe zyrës ligjore amerikane McGinnis Lochridge më 2019, ku sipas Xhymshitit partner është një familjar i Escobar.

Por në përgjigjen e DASH-it thuhet se edhe këto “Pretendimet e bëra nga Vudi Xhymshiti janë verifikueshëm të rreme (verifiably false)”.

“Vudi Xhymshiti së fundmi ka bërë një numër deklaratash në internet për zotin Escobar të cilat janë të verifikueshme si të rreme. Përkundër pretendimeve të zotit Xhymshiti, bashkëshortja e zotit Escobar kurrë nuk ka marrë fonde nga Ministria e Jashtme e Serbisë dhe zoti Escobar nuk ka asnjë lidhje familjare me të ashtuquajturin partner të zyrës së avokatisë në Texas, McGinnis Lochridge LLP.”– thuhet në reagimin e DASH.

Një nga personat që reagoi i ekzaltuar kur qarkulloi lajmi i rremë ishte edhe Gani Jakupi, i angazhuari nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës si konsulent i jashtëm për Ambasadën e Kosovës në Bruksel.

“Shumë e “jetimin” paska m’e lanë n’Kosovë!”- shkroi Jakupi në një postim të fshirë tashmë në rrjetin social “X”.

Kategori te tjeta

Artikuj te ngjashem

Ballinat e Tjera

Me te Lexuarat