Edhe Veliaj mohon takimin me Shkëlzen Berishën: I kemi ndarë rrugët te “Samiu”

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka reaguar lidhur me deklaratën e gazetarit Ylli Rakipi, se e ka gjetur atë në një tavolinë me Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit, Sali Berisha.

Edhe ky njëlloj si Shkëlzen Berisha i ka hedhur poshtë deklaratat e Rakipit.

Veliaj thotë se për herë të fundit mban mend të jetë takuar me Shkëlzen Berishën në oborrin e gjimnazit “Sami Frashëri” të cilin e ndiqnin të dy kur ishin adoleshentë. Deklaratën e Rakipit, Veliaj e konsideroi si shpifje të shpërndarë nga oborri i selisë blu.

“Kjo është e pavërtetë. Me Shkëlzen Berishën mund të jem shkëmbyer për herë të fundit kur kemi qenë gjimnazistë. Ai ishte një vit mbi mua. Sokol Nano ishte dy vite. Që atëherë kam kuptuar se njeriu, që në adoleshencë fillon të kuptojë kush di të qeverisë keq dhe mirë. Edhe atëherë, në shkollë, nuk përziheshim as në protesta në oborr, sidomos kur një pjesë e jona shkonte pas mësimi, pasi familja ishte damkosur që solli problemet me piramidat dhe shkatërrimin e vendit.

Nëse po shqyhen me njëri-tjetrin, atëherë mirë t’ju bëhet. Sepse vetë Saliu sajonte gjëra të tilla. Saliu vetë, gjatë fushatës së kaluar, tha se Erion Veliaj, në 1977-ën, dy vite para se të lindte, ishte bërë një kitarist i famshëm nga Kalifornia, kishte krijuar edhe një grup roku dhe kishte shkuar në Iran. Pra, sipas tij, unë i kisha bërë gjithë këto mëkate para se të lindja. Parimi është: kush mbjell erë, do korrë stuhi. Saliu, Zeni dhe gjithë familja e tyre, dhe ajo vajza që vjen këtu te bashkia me molotov dhe thotë ‘lironi babin’, janë duke korrur atë që kanë mbjellë vetë. Dhe për sa kohë kanë mbjellë erë do korrin stuhinë e tyre. Por përgjigja është jo, se kam takuar dhe s’e kam ndërmend ta takoj.”– deklaroi ai.

I pyetur për statuset e Shkelzën Berishës, Veliaj tha se nuk i intereson dhe nuk i jep “asnjë emocion” ai dhe theksoi edhe njëherë se në oborrin e gjimnazit i ka ndarë rrugët me djalin e ish-kryeministrit.

“E para e punës. Nuk më intereson fare çfarë thotë ai sepse babanë e tij e kemi mundur tre herë në zgjedhjet e përgjithshme dhe tre herë në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës. Dhe e kuptoj që çdo humbës, e sheh gabimin diku tjetër e jo te vetja e vet. Meqë do të angazhohet politikisht, bujrum le të vijë, të kandidojë. Por nu kia mban. Nuk më jep asnjë emocion një njeri që hodhi një fshat në erë dhe një njeri, i cili prej hallit që ka zënë babanë, detyrohet të shpenzojë paratë e veta, që të sjellë njerëz nga qytetet e tjera sepse nuk i del Tirana në protestë. Në këtë sens, ai të vazhdojë me aventurat e tij, ndërkohë unë kam punë për bërë. Rrugët tona janë ndarë që te oborri i Samiut. Ai gëzonte paratë e piramidave, ne protestonim në ato ditë të vështira që solli babai i tij dhe fatmirësisht u mbyllën në 2013, kur babai i tij doli në pension.”- deklaroi kryebashkiaku.

Djali i ish-kryeministrit reagoi shumë ashpër kur u përball me deklaratën e gazetarit Rakipi në programin e tij televiziv.

Pasi e mohoi kategorikisht takimin, ai tha se nuk do që emri i tij të “përdoret si instrument në luftën e brendshme të grupeve e klaneve në pushtetin e kalbëzuar të Edi Ramës, që sot e gjithë ditën, helmojnë dynjanë duke spiunuar e shpifur për njëri tjetrin!”

Kategori te tjeta

Artikuj te ngjashem

Ballinat e Tjera

Me te Lexuarat