Mbi një orë fjalim, Rama i prerë me të vetët: Unë nuk lëshoj vetëm djalin e vogël

Në një prej fjalimeve më të gjata të tij, plot 120 minuta, kryeministri Edi Rama ua bëri të qartë të korruptuarve nga Partia Socialiste, se nuk kishte ndërmend të “mbante askënd që bëhet pis” e ka probleme me drejtësinë.

“Jo po PS-ja duhet t’i mbajë njerëzit e saj dhe ti duhet s’duhet t’i lëshosh njerëzit e tu!’…

 Ah jo jo, unë nuk lëshoj vetëm djalin e vogël në ndonjë shkëmb të lartë mbi det kur do të hidhet, po nuk mund të mbaj asnjë burrë me para të vjedhura në karrige kur i vjen ora të thirret.

‘Jo po s’kam bërë asgjë, po më bien në qafë se ma bën ky e ma bën ai, se SPAK-u kështu e SPAK-u ashtu…’

Nëse s’ke bërë asgjë s’ke nevojë të të mbaj as unë dhe as PS-ja, të mban e vërteta, prandaj lufto për të vërtetën tënde, se kjo parti e kjo qeveri nuk bëjnë dot asnjë koment për çështjet që hap SPAK-u, jo më avokatinë e një drejtori, kryebashkiaku, deputeti apo ministri të kërkuar nga SPAK-u.”– tha Rama gjatë fjalimit të tij në një mbledhje jo të zakontë në Kryesinë e Kuvendit me ministrat e deputetët, teksa PS po bëhet gati për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Duke iu drejtuar zyrtarëve socialist, Rama theksoi se s’ka mbrojtje politike ndaj askujt që shkon në SPAK ndërsa i krahasoi ata që kanë probleme me drejtësinë si “molla të kalbura” që bien vetë.

Ai shtoi se kush mendon ndryshe, nuk e di se si funksionon pushteti legjislativ.

“Nuk jam mburoja e asnjërit që vjedh. Vija mes funksionit tim dhe funksionit të drejtësisë është gjithnjë vetëm me një ngjyrë, e pandryshueshme dhe e pakëpërcyeshme. E kam thënë publikisht, mos e ngatërroni kurrë punën e përbashkët dhe me asnjë dërrasë të kalbur që larg qoftë mund të shkelni.

Kush e vë këmbën në dërrasë të kalbur, nuk jam unë dhe PS që e lëshon kur i dridhet toka nën këmbë, por është ai që e ka lëshuar PS bashkë me mua. Kur dëgjoj që thonë se Rama e ka hedhur si limon të shtrydhur se si duhet më, e kanë gabim. Është një mollë e kalbur që bie vetë.

I dëgjoj kur përsërisin pa pushim me shpoti të madhe s’ka mundësi të mos i dijë Rama pisllëqet, mirë që s’më njohin fare, po ose më dinë si veten, ose nuk e kanë haberin si funksionin pushteti ekzekutiv.”-tha kryeministri.

Ai deklaroi se i vetmi moment që do të flasë për punën e SPAK-ut do të jetë mbështetja e pakushtëzuar ndaj këtij institucioni, ndërsa përgjegjësi morale do të mbante vetëm nëse ai vetë do të pengonte punën e drejtësisë së re. 

Kategori te tjeta

Artikuj te ngjashem

Ballinat e Tjera

Me te Lexuarat