
Sot duke nisur nga ora 9:30 do të bllokohet qarkullimi i mjeteve në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Kjo për shkak të protestës së thirrur nga opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.
Përmes një njoftimi, Policia e Shtetit bën me dije se, ka marrë masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë gjatë zhvillimit të një tubimi të kërkuar nga “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”, ditën e sotme, 7 maj 2024, ora 10:00, pranë Bashkisë së Tiranës.
Në zbatim të këtij plani, “prej orës 09:30 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës”.
Policia për këtë arsye u sugjeron qytetarëve që “të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe”.
Për shkak të incidenteve të ndodhura në protestat e mëparshme, Policia u bën thirrje organizatorëve, për t’u distancuar nga çdo akt dhune.
“Gjatë disa tubimeve të mëparshme, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të përsëritura të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë dhe vetë pjesëmarrësve në tubime. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore. Policia u përsërit thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune.”-përfundon njoftimi.