Bardhi thirret në SPAK për kallëzimin mbi “Xibrakën”, Rama: Prokuroria të ndajë të vërtetën

Pasditen e sotme Gazment Bardhi ka publikuar një shkresë ku bën me dije se është thirrur të mërkurën e 15 majit në SPAK si person që ka dijeni lidhur me hetimet për procedimin penal nr 88 të vitit 2024 lidhur me dosjen Xibraka.

Ai pretendon se kjo shkresë provon se ai as gënjen e as nuk shpif në lidhje me kallëzimin e tij në SPAK ndaj Olsi Ramës për çështjen e Xibrakës, vëllait të kryeministrit Edi Rama.

“Sot është dita që t’ju provoj se unë as gënjej, as shpif, as baltos dhe ndryshe nga Edi Rama, i mbaj premtimet e mia.

Pas kërkesës sime në SPAK për rinisjen e hetimeve të procedimit penal nr. 335/1 – viti 2016, që Edi Rama do të donte shumë në varrosej, sot jam njoftuar nga SPAK se çështja është riaktivizuar.

SPAK më ka njoftuar zyrtarisht për rifillimim e hetimeve të pezulluara për përfshirjen e Olsit Ramës në dosjen e trafikimit të kokainës në Xibrakë. Procedimi i dikurshëm penal me nr. 335/1-2016, është regjistruar si procedimi nr. 88 – viti 2024. Për këtë çështje jam ftuar për të dhënë sqarime të metejshme në SPAK.”- shkruan Bardhi. Ai shprehet se në politikë është futur për të shërbyer me integritet, duke refuzuar “makinacionet e ulëta të sulmit të kundërshtarit politik përmes shpifjes apo baltosjes së familjes”. 

Pas kësaj, ka reaguar edhe Kryeministri Edi Rama, i cili thotë se SPAK duhet të ndajë të vërtetën me publikun.

“Llafet i merr era, ndërsa drejtësia vepron vetëm me ligje e me prova, prandaj tani pas llafeve të mëdha edhe një detaj i vogël mungon dhe pastaj jemi krejt në rregull! Pra mungon konfirmimi në dëshminë ligjore para SPAK-ut nga vetë B-ja i vogël me gojën e madhe, se kur ka shkruar ‘Informacion’ në fakt kallzuesi i rremë nuk ka dashur t’ia hedhë me procedurë rrezikut që vjen nga marrja si i pandehur për kallzim të rremë, po thjesht ka pasur një moment lajthitje profesionale. Në rast se plotësohet kjo mungesë domethënëse për fatin e të vërtetës, atëherë SPAK-u ka të gjithë mundësinë ta ndajë të vërtetën nga shpifja dhe viktimën nga fajtori. Pra o B-ja e vogël ka zbuluar një trafikant droge në rrethin tim të ngushtë familjar dhe trafikantit duhet t’i hiqet liria, o e gojës së madhe i duhet vënë proteza e ligjit! Ka vetëm një të vërtetë në këtë mes dhe s’ka asnjë rrugë të mesme.”– shkruan kryeministri Rama. 

Kategori te tjeta

Artikuj te ngjashem

Ballinat e Tjera

Me te Lexuarat