Firma private e grave fut në telashe Arbjan Maznikun dhe Endri Fugën

BIRN ka publikuar sot një investigim, sipas të cilit rezulton se gruaja e Arbjan Maznikut dhe e Endri Fugës janë pronare të një restoranti me karakteristika “franceze” në qendër të Tiranës.

Investigimi me titull “Investimi në një restorant francez ngre hije dyshimi mbi ministrin e Shtetit” ngre pikërisht këtë, pikëpyetje mbi konfliktin e interesit në dhënien e tenderave kompanive të lidhura me aksionerët e këtij restoranti, familjarë të ministrit të shtetit për Qeverisjen Vendore dhe të këshilltarit të kryeministrit. (Artikulli origjinal)

Restoranti “The Home” me lokacion te Pazari i Ri, në Qendrën Kombëtare të Bizneseve, rezulton i regjistruar në pronësinë e bashkëshorteve të Maznikut e Fugës: Marinela Lika me 50% të aksioneve dhe Besa Fuga me 50%.

Restoranti “The Home” te Pazari i Ri në Tiranë. Foto: Nensi Bogdani.

Pikërisht në natën e ndërrimit të viteve më 31 dhjetor 2023, një grup zyrtarësh (55 persona) u mblodhën për të festuar në këtë restorant dhe fatura prej 236 mijë lekësh në total, u pagua nga Bashkia e Tiranës.

Por konflikti i interesit nuk ndalet me kaq. BIRN thotë se një firmë e lidhur me restorantin “The Home” fitoi tendera publik me vlerë 800 mijë euro nga kompania publike Tirana DC dhe Bashkia e Tiranës gjatë viteve 2021-2022.

Sipas BIRN, 90 milionë lekë shkuan për të financuar dy tendera të zhvilluar në vitin 2021 nga “Tirana DC”.

Njëra prej kontratave me vlerë 20.4 milionë lekë kishte si objekt marrjen me qira të disa makinave nga kompania ASG në pronësinë e Gazmend Haxhisë – një partner biznesi i administratorit Redi Molla në hotelin me 5 yje që po ndërtohet në Durrës. Molla u emërua si administrator i “Tirana DC” nga Erion Veliaj në 2020. Në postin e kryetarit të Këshillit të Administrimit, Veliaj kishte emëruar pikërisht Maznikun. Në shtator të vitit 2020, Molla u zëvendësua nga Mariglen Qato.

Tenderi i dytë ishte ai i fituar nga kompania e teknologjisë “3i-Solutions” e cila është një kompani e teknologjisë së informacionit e themeluar në vitin 2015 nga administratori i restorantit “The Home”, Ledion Çollaku, i cili zotëronte 50% të aksioneve. Në nëntor 2018, Çollaku ia shiti aksionet kunatit të tij, Ervis Smakaj, një inxhinier IT në profesion.

Tenderi prej 70 milionë lekësh i fituar nga kjo kompani, kishte si objekt informatizimin e proceseve operacionale të Tirana DC. Ky tender i “Tirana DC” nuk është i vetmi i fituar nga kompania “3i-Solutions” në institucionet në varësi të Bashkisë së Tiranës. Në vitin 2020, kompania fitoi një tender për modernizimin dhe mirëmbajtjen e numrit të gjelbër (call- center) të UKT-së, ndërsa në vitin 2022 mori përsipër ndërtimin e një platforme e-Rekrutim për menaxhimin e rekrutimit të stafit për llogari të bashkisë së Tiranës.

Kategori te tjeta

Artikuj te ngjashem

Ballinat e Tjera

Me te Lexuarat