Efektivi i Forcave “Shqiponja” Novruz Cenalia, 28 vjeç, mbeti i vrarë këtë të hënë në fshatin Baltëz të Fierit.
Si çdo ditë, ai ishte bërë gati duke veshur uniformën e Policisë së Shtetit dhe ishte nisur për në punë.
Rreth orës 13:15, ndodhi tragjedia. Dyshohet se pati një debat për radhën e kalimit me makinë me Asllan Mernicën alias Asgan, 23 vjeç, në fshatin Baltëz, 10 km larg Fierit.
Mernica i cili ishte nga fshati tjetër i Fierit, Sulaj, nxori pistoletën që e mbante me vete dhe me një tek plumb në kokë la të vdekur në vend punonjësin e Policisë së Shtetitt.
Azgani u largua nga vendi i ngjarjes me makinën tip “Audi”, ngjyrë blu, të cilën e braktisi disa kilometra me tutje.
Pas ngjarjes së rëndë, i dyshuari është shpallur në kërkim dhe Policia ka vënë një shpërblim prej 30 mijë eurosh për çdo informacion të vlefshëm që do të ndihmojë për lokalizimin dhe arrestimin e autorit.
“I bëjmë thirrje autorit të vetë dorëzohet pasi veprimi i policisë do të jetë i ashpër. Pista kryesore është për motive të çastit. Nuk ka lidhje me probleme hasmërie. Makina e autorit është gjetur. Ka qenë një konflikt i çastit.’”– tha drejtori i policisë së Fierit, Lorenc Panganika.
Policia ka vënë drona në punë për të lokalizuar Azganin. Lidhur me ngjarjen ka reaguar drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku.
“Do bëjmë gjithçka që autori të dalë para ligjit”– tha ai.
Përveç pistës që bëhet fjalë për një konflikt të çastit, dyshime ka se mund të bëhet fjalë edhe për një gjakmarrje.
Babai i viktimës, Asllan Cenalia, i cili po ashtu ishte efektiv dhe punonte në sallën operative, ka vrarë Sali Harhullën në Has, vend ka ku kishin dhe origjinën.
Por pas ngjarjes ata ishin shpërngulur në Fier, për t’i shpëtuar gjakmarrjes.
Ndërkohë, mësohet se vëllai i Asllan Mernicës, Kiri Mërnica është i dyshuar për përfshirje në një ngjaje të ndodhur në vitin 2019, ku u vra me armë zjarri Florian Selimi, me origjinë nga Tropoja dhe banues në fshatin Sulaj.
Po ashtu bashkë me 3 të tjerë më 17 prill 2021 u përfshi në një konflikt ku mbeti i plagosur Pashk Palnikaj.