Atentat ndaj kryeministrit sllovak, Robert Fico

Kryeministri sllovak Robert Fico është qëlluar me armë zjarri këtë të martë, pas një takimi të kabinetit jashtë kryeqytetit.

Të pranishmit dëgjuan disa të shtëna që vinin nga turma dhe më pas kryeministri u shemb përtokë. Personi që dyshohet se qëlloi është ndaluar nga policia.

Pas atentatit kryeministri Fico është dërguar në spital, ku thuhet se ndodhet në gjendje kritike.

Ku ndodhi sulmi

Fico ishte duke përshëndetur njerëzit përpara një qendre të komunitetit kulturor në qytetin qendror Handlova në Sllovaki, kur disa të shtëna armësh u qëlluan nga një turmë.

Handlova është rreth 180 km në veri-lindje të kryeqytetit Bratislavë. Raportet lokale thonë se ai u transportua me helikopter në një spital aty pranë përpara se të dërgohej më vonë në një spital tjetër në Banska Bystrica, në lindje të Handlovës.

Oficerët e sigurisë e lëvizën kryeministrin sllovak Robert Fico pas incidentit të të shtënave

Çfarë dimë për gjendjen e Ficos?

Sipas BBC-së, raportet e pakonfirmuara nga dëshmitarët okularë thonë se Fico u qëllua në krahë, këmbë dhe stomak.

Truprojat e tij u panë duke e ndihmuar në një makinë menjëherë pas të shtënave.

Stafi i Ficos ka thënë që ai u transportua me helikopter në një spital aty pranë pasi transferimi në Bratislavë (kryeqyteti) do të zgjaste shumë dhe gjendja e tij mendohet të jetë kritike.

Një person është arrestuar pas të shtënave ndaj kryeministrit sllovak Robert Fico

Presidenti i zgjedhur sllovak thotë se është “i tmerruar”

Presidenti i zgjedhur Peter Pellegrini tha se ishte “i tmerruar” kur dëgjoi se aleati i tij Fico ishte “shënjestër e një atentati”.

“Unë jam i tmerruar se ku mund të çojë urrejtja për një opinion tjetër politik. Ne nuk duhet të pajtohemi me gjithçka, por ka shumë mënyra për të shprehur mosmarrëveshjen tuaj në mënyrë demokratike dhe ligjore.”– tha ai.

Ai shtoi se mendimet e ndryshme politike duhet të shprehen në qendrat e votimit dhe jo me armë.

Kryeministri sllovak Robert Fico u rikthye në pushtet pas zgjedhjeve shtatorin e kaluar, në krye të një koalicioni populist-nacionalist.

Kategori te tjeta

Artikuj te ngjashem

Ballinat e Tjera

Me te Lexuarat