Pas tre denoncimesh, Enkelejda Danaj vritet nga ish-bashkëshorti me thikë në Athinë

Një grua shqiptare është vrarë brutalisht me thikë këtë të enjte nga ish-bashkëshorti i saj, në zonën më qendrore të Menidit në Greqi.

Viktima është Enkelejda Danaj, 40-vjeç.

Mediet e shtetit fqinj shkruajnë se 40-vjeçarja u gjet në rrugë me plagë në bark, ndërsa pranë saj kishte edhe thikën me të cilën është vrarë. Lidhur me ngjarjen është arrestuar ish-bashkëshorti i saj, Eduart Danaj, 50-vjeç.

Kjo ngjarje vjen pas një historie të gjatë dhune që Danaj kishte përjeshtuar, pasi ajo e kishte raportuar në polici dhunën nga ish-bashkëshorti jo një herë, as dy, por tre herë dhe që të trija herët ish-bashkëshorti ishte liruar.

Si ndodhi ngjarja?

40-vjeçarja ishte nisur rrugës për në punë herët mëngjesin e sotëm, por u gjet e vrarë me thikë në një lagje të Athinës. Ajo u godit brutalisht me thikë në bark.

Autoritetet policore janë njoftuar nga një kalimtar i rastit i cili gjetur gruan e pajetë në rrugë rreth orës 05:00 të mëngjesit.

Grupi hetimor përjashtoi pistën e vrasjes për grabitje, pasi çanta i është gjetur e paprekur me sendet personale, po ashtu dhe portofoli dhe celulari. Kështu u shkua drejt pistës së vrasjes nga ish-bashkëshorti.

Enkelejda Danaj ishte nënë e dy fëmijëve, një vajze dhe një djali. Vajza thuhet se ka qenë pranë vendit të ngjarjes dhe ka mbërritur shumë shpejt aty.

Një banore e zonës ka treguar për mediet e shtetit fqinj se e pa vajzën në gjendje shoku duke folur në telefon dhe duke thënë se babai i saj ka vrarë nënën e saj.

Mes lotësh ajo i tregonte një polici një foto të nënës në celular dhe e pyeste atë nëse gruaja e vrarë ishte mamaja e saj.

“Një vajzë e vogël erdhi këtu në vendin e ngjarjes, dhe tha ‘ndoshta është nëna ime’ ndërsa ajo po qante. Ajo i tregoi një foto Policisë dhe kështu u identifikua si nëna e saj. Ajo tha se mamaja e saj nuk shkoi në punë sot dhe pasi ia tregoi fotografinë policisë, u tha se babai i saj e kishte vrarë”. ‘Ajo fliste në telefon dhe thoshte ‘më kanë vrarë mamanë, kanë vrarë mamanë ime, ajo ishte shumë e tronditur”. ‘Ajo po thoshte ‘ndoshta babai im e vrau, ai e gjeti atë rrugës për në punë’.”

Sipas shpjegimit të dëshmitares, vajza me siguri në atë moment ka qenë duke folur me vëllanë e saj dhe i ka thënë: “Babi ka vrarë mamin”.

Pas kësaj, autoritetet shpallën në kërkim Eduart Danajn. Ai u gjet pas disa orësh në zonën e Filit, jashtë një ndërtese. Ai mesa duket kishte konsumuar alkool teksa dyshohet se kishte tentuar të fshihej në pallatin në ndërtim e sipër.

3 denoncime

Kjo duket të jetë një ngjarje e paralajmëruar, pasi Enkelejda Danaj kishte bërë 3 denoncime për dhunë ndaj ish-bashkëshortit, i cili ishte arrestuar 3 herë, por të tria herët është liruar.

Denoncimi i parë është bërë më 3 prill 2013, ku Enkelejda e akuzonte të shoqin për dhunë në familje.

Denoncimi i dytë është bërë më 18 shtator 2022, kur gruaja akuzonte ish-bashkëshortin se e kërcënonte dhe e dhunonte vazhdimisht. Ky i fundit u arrestua sërish, por është lënë i lirë nga drejtësia. Gruaja kishte përmendur në denoncimet e saj se 50-vjeçari, konsumonte sasi të mëdha alkooli dhe bëhej i dhunshëm, e godiste dhe kërcënonte.

Denoncimi i tretë është bërë më datë 7 maj 2024, për dhunë në familje dhe këtë të premte kishte një seancë dëgjimore në gjyq. Enkelejda kishte një urdhër gjykate që e mbronte dhe e ndalonte Eduard Danajn të jetonte në një shtëpi me të.

Mediet greke shkruajnë se 40-vjeçarja ishte informuar për mundësinë e instalimit të një aplikacioni të quajtur “Panic Button” në celular, përmes së cilit mund të njoftonte policinë në rast dhune. Por ajo e kishte refuzuar këtë aplikacion. Në të njëjtën kohë, ajo ishte informuar për mundësinë e transferimit të saj në një strukturë pritëse por nuk kishte dëshiruar.

Kategori te tjeta

Artikuj te ngjashem

Ballinat e Tjera

Me te Lexuarat