
Rreth 50 urdhër-arreste janë lëshuar nga SPAK këtë të premte në një operacion të rrallë kundër klaneve kriminale, një nga operacionet më të mëdha të kryera në këto 5 vitet e fundit.
Personazhe të klaneve kriminale nën hetim, të arrestuar më parë apo në arrati janë targetuar në këtë operacion të fundit, pasi zbërthimi i mesazheve në aplikacionet “Sky ECC” dhe “EncroChat” çoi në zbardhjen e shumë ngjarjeve kriminale, si dhe në shtimin e akuzave të reja për disa të tjerë.
Më poshtë do të njiheni me disa prej akuzave të cilat rëndojnë mbi personazhet e targetuar nga operacioni i SPAK-ut.
Kush është Mir Bruli
Sot është arrestuar biznesmeni në Velipojë, Mir Bruli. Ai është një i afërm i biznesmenit tjetër Pëllumb Gjoka, i arrestuar si pjesë e dosjes “Metamorfoza”.
Pak kohë më parë një prej bizneseve të Mir Brulit në pjesën e Vilunit në plazhin e Velipojës u shemb nga IKMT si ndërtim pa leje.
Bruli ka disa biznese në plazhin e Velipojës, lokale, restorante dhe hoteleri, por dyshohet si i përfshirë në veprimtari të ndryshme kriminale.
Kush është Pëllumb Gjoka
Miku i Brulit, Pëllumb Gjoka, 49 vjeç, u arrestua në korrik të vitit të kaluar si anëtar i dyshuar i një organizate kriminale që kishte kryer ndër të tjera vrasje dhe pengmarrje.
Ai del në përgjimet e “Sky-Encro” duke bërë plane me Behar Bajrin për të kryer vrasje.
Pëllumb Gjoka akuzohet se ka pasur rolin e porositësit për atentatin e dështuar të shtetasit Kleant Musabelliu, si dhe është përfshirë në vrasjen e Gjin Ndoj (Boriçi) në 2020-ën.

Gjithashtu ai akuzohet se në vitin 2022 ka vrarë 90-vjeçaren nga Malësia e Madhe, Drane Hotaj dhe më pas ka manipuluar me testamentin e saj duke i grabitur 390 mijë m2 tokë në bregdetin e Velipojës.
E ndonëse biznesmeni akuzohej për një krim të rëndë, kryeministri Edi Rama po në vitin 2022, shpalli Gjokën investitor strategjik.
Kush është Fatmir Hyseni
Fatmir Hyseni i ashtuquajtur “Doqja”, dyshohet se ka marrë pjesë në disa vrasje.
Ai është anëtar i grupit kriminal “Duka” dhe dyshohet i përfshirë në vrasjen e ish-efektivit të policisë Santiago Malko, shok i ish-bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj.
Hyseni dyshohet si i përfshirë edhe në vrasjen e Brilant Martinajt në mbikalimin e Fushë Krujës, nipi i Ervis Martinajt, ku mbetën të vrarë dhe Besmir Hoxha dhe Dikler Vata.

Kush janë vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka
Leonard Duka njihet si kreu i “Klanit Duka”, grupi kriminal që ka pasur një konflikt të vazhdueshëm me grupin e Ervis Martinajt prej vitesh.
Ai është arrestuar në vitin 2019 nga një operacion antidrogë. Grupi “Duka” ka qenë i skeduar si grup i strukturuar i trafikut të drogës Shqipëri-Gjermani. Leonard Duka quhej nga miqtë e tij si “Princi Damian”, një pseudonim e cila sipas tij reflekton luksin dhe jetën e shtrenjtë.
Dikur e kishin mik, por Leonard dhe Erlis Duka njihen edhe si armiqtë e betuar të Ervis Martianajt, i zhdukur që prej gushtit të vitit 2022.
Vëllezërit Duka dyshohen si autorë të vrasjes së ish-efektivit të policisë Santiago Malko, mik i Martinajt. Ata në fakt donin të vrisnin Martinajn, por meqë s’mundën dot i ekzekutuan krahun e djathtë.

Kush janë Arben dhe Xhevi Ndoka
Ish-deputeti i PS-së, Arben Ndoka u arrestua në tetor të vitit 2018 gjatë operacionit “Volvo 4”, si i përfshirë në një skemë tjetërsimi pronash në Shëngjin, por më pas procesi ndaj tij vijoi me arrest shtëpie e detyrim paraqitje.
Për tjetërsimin e pronave, në burg janë vëllai i tij Xhevi Ndoka dhe motra Mimoza Ndoka. Emri i Arben Ndokës del tek Metamorfoza, në bisedën mes Pëllumb Gjokës dhe Behar Bajrit, për eliminimin e armiqve.
Lidhur me operacionin e sotëm, Xhevi Ndokës i komunikohet një tjetër masë sigurie, duke qenë se ndodhet në burg pasi është dënuar nga Apeli i GJKKO si pjesë e grupit që tjetërsoi 234 mijë metra katrorë tokë në zonën e Ranës së Hedhun.

Kush janë Armando dhe Elvis Ndreca
Dy nga personazhet e tjera të goditura sot nga SPAK, janë vëllai dhe kushëriri i deputetit të PD-së, Eduard Ndreca.

Armando Ndreca është vëllai i deputetit të PS-së, Eduard Ndreca, ndërsa Elvisi është djali i xhaxhait të të tij.
Kujtojmë që Armando Ndreca u arrestua më 10 mars, me dyshimin se ishte i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike, pas zbulimit të një stani të kthyer në shtëpi bari në një fshat të Lezhës. Por Ndreca u lirua nga gjykata pasi nuk kishte prova që vërtetonin implikimin e tij në kultivimin e drogës.
Kush janë vëllezërit Avdylaj
Urdhër-arreste janë lëshuar edhe ndaj dy vëllezërve të botës së krimit në zonën e Shijakut, Astrit dhe Altin Avdylaj.
Hetimet ndaj tyre nisën pas transkriptimeve të bisedave përmes kodeve “Sky” që këta persona përdornin me njëri-tjetrin.
Astrit Avdylaj, me nofkën Niçja, njihet si kreu i bandës së Shijakut dhe ndaj tij ka pasur akuza droge, vrasje, prostitucion, por edhe për lidhje të forta politike, së bashku me vëllanë e tij Altin Avdylaj.

Kush është Endrit Dokle
Endrit Dokle, ish-anëtar i bandës së Durrësit, doli nga burgu më 14 janar 2020 dhe jeton në Dubai.
Ai ishte akuzuar së bashku me 16 persona të tjerë, si pjesë e bandës famëkeqe, ku disa prej tyre janë dënuar për vrasje, plagosje, atentate, rrëmbime, trafik droge e qenie njerëzore. Edhe pse pritej të qëndronte në burgim të perjetshëm, u lirua në mënyrë të dyshimtë.
Dokle ka drejtuar një prej fraksioneve të bandës dhe me Lulzim Berishën, njeriun që sipas Prokurorisë e krijoi atë, pati një armiqësi të hapur për vite me radhë, madje tentoi edhe ekzekutimin e tij. E ashtuquajtura “banda kriminale”, me drejtues të përbashkët Lulzim Berishën dhe Klodian Saliun, funksiononte prej vitit 1994 në qytetin e Durrësit.

Kush është Plaurent Dervishaj
Njëlloj si Endrit Dokle, edhe Dervishaj prej kohësh jeton në Dubai si person që kërkohet nga drejtësia shqiptare.
Ai është kërkuar nga SPAK për një sërë ngjarjesh kriminale, mes të cilave atentati i nëntorit 2019 ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, i cili mbeti i plagosur bashkë me pasagjerin tjetër Aleksandër Laho, ndërkohë vdiq në vend shoferi Andi Maloku. Për ngjarjen është arrestuar vetëm Redjan Rraja.

Ai akuzohet dhe për vrasjen e Vajdin Lames si dhe të Klodian Saliut.
Kunati i Lul Berishës, Plaurent Dervishaj u arrestua në Dubai, por u la i lirë, për shkak se mungonte një marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Kush janë Valter dhe Durim Bami

Valter Bami është vëllai i killerit me pagesë Durim Bami. Ai dyshohet se ka qenë pjesë e vrasjes së Ramazan Sinos, në sulmin me armë në banesën e Gentian Bejtjes në fshatin Larushk të Fushë Krujës. Në ngjarjen e korrikut 2023, u plagosën dhe dy djemtë e mitur të Bejtjas.

Në 3 mars të vitit 2015, Durim Bami u arrestua nga policia për kallëzim të rremë pas akuzave të Tom Doshit, se ish-kryetari i Kuvendit të asaj kohe Ilir Meta, kishte porositur një atentat për ta ekzekutuar atë përmes Durim Bamit, kundrejt pagesës 500 mijë euro. Bami u kap në tentativë për t’u larguar drejt Malit të Zi.
Pas arrestimit, ai tha se ishte vrasës me pagesë dhe ishte paguar nga Ilir Meta për të vrarë Tom Doshin. I pandehur së bashku me Durim Bamin ishte Tom Doshi dhe Mark Frroku për të cilët Prokuroria kërkoi nga 1 vit burg për akuzën e kallëzimit të rremë.
Po kështu Durim Bami ka qenë i dyshuar për një sërë tentativash për vrasje, vrasje dhe pengmarrje. Bami rezulton si personi i fundit që ka takuar mikun e Gentjan Bejtjes, shtetasin Enver Stafuka, të zhdukur në 2015.