Në megaoperacionin e zhvilluar këtë të premte, SPAK ka shpallur në kërkim tre punonjës policie.
Bëhet fjalë për Ergert Mitrin, i cili më herët ka pasur pozicion si drejtues i Policisë Lezhë. Ergert Mitri aktualisht është specialist pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit.
Po ashtu, urdhëra-arresti janë firmosur edhe për Klodian Shahinin dhe Altin Morinën.
Ky i fundit është ish efektivi i RENEA-s, i cili u arrestua në mars të 2023 në zonën e Kodrës së Diellit në kryeqytet, pasi në makinën e tij u gjet me 113 mijë euro. Shuma e parave u gjet poshtë sediljes së parë të mjetit luksoz, e mbështjellë me një qese plastmasi.
Morina u lirua vetëm një muaj më vonë, pasi pretendonte se paratë i kishte marrë hua nga një biznesmen për një problem personal. Ish-efektivi i RENEA-s besohet se kishte lidhje të forta me ish-bosin e lojërave të fatit Ervis Martinajn, i cili rezulton i zhdukur që prej gushtit të vitit 2022.