Një nga personazhet e targetuar në kuadër të operacionit të SPAK-ut, të nisur të premten e 17 Majit është edhe Fatmir Troplini alias Miri i Pojës.
Fatmir Troplini është një nga personat e shpallur në kërkim lidhur me atentatin e dështuar me minë të telekomanduar ndaj Preng Gjinit, ngjarje që ndodhi në kryeqytet mbrëmjen e 15 shtatorit 2020.
Në automjetin e Gjinit ishin vendosur 400 gr C4 në pjesën e poshtme të makinës, për të shpërthyer në momentin që ai të ndodhej sipër urës së Lanës, ish-Stacioni i Fundit i Tiranës së Re.
Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa u ndje në një rreze të gjerë dhe u plagosën lehtë dhe dy kalimtarë, një shtetas italian dhe një fëmijë. Preng Gjini mbeti i plagosur rëndë dhe iu nënshtrua një ndërhyrje të gjatë kirurgjikale e tepër delikate.
Preng Gjini dëshmoi asokohe se nuk kishte armiqësi me askënd e nuk ruhej nga ndokush pasi nuk ndihej i kërcënuar.
Preng Gjini është vëllai i Armando Gjinit, i cili u ekzekutua më 13 gusht të vitit 2019, në qendër të qytetit të Rrëshenit. Armando Gjini, i kishte shpëtuar më parë dhe një atentati me tritol, pasi kishte mundur ta pikaste në kohë lëndën eksplozive.