Tedi Malaveci është drejtuesi aktual i Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë. Por në të njëjtën kohë, ai është gjithashtu një person i dënuar para shumë vitesh për trafik droge me një vit burg nga gjykata e Utrehtit.
Ditën e djeshme, ish-kryeministri Sali Berisha gjatë fjalimit në tubimin poshtë banesës së tij ku po qëndron në arrest shtëpie, tha se Malaveci kishte akses në të dhënat e TIMS. Pasi sipas tij, të dhënat sekrete të TIMS-it, Malavecit ia kishte dhënë “kundrejt milionave” ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe kreu i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku.
“Dje në Komisionin e Hetimit të TIMS-it ka ndodhur një moment që s’e ka njohur ndonjëherë në 33 vite Parlamenti shqiptar.
Dje, kur në komision u thirr krimineli, mafiozi Malaveci, shefi i përmbaruesve mizorë, që u vodhën shtëpi, katandi qytetarëve, trafikanti i damkosur i drogës, që paguan Ulsi Manjën për ta mbajtur në detyrë në kundërshtim me ligjin, i dënuar 4 vite në Holandë, i paraqitur në komision, Linda e Parlamentit ndërpreu të gjitha sinjalet televizive të medieve, kur ky mafioz do të dëshmonte para komisionit.
A e dini ju sepse o miq? Sepse Malaveci i mafies ndërkombëtare, Malaveci i trafiqeve ndërkombëtare, kishte akses, kishte hyrje në shtëpinë e tij në të dhënat më sekrete të shtetit, ato të TIMS-it.
Ndërkohë, deputetëve u thuhej se nuk keni certifikatë sigurie, ndaj nuk flasin dot haptas. Malavecit i ishin dhënë të gjitha të dhënat kundrejt drogës, kundrejt miliona eurove shpërblim nga Rrumbullaku dhe Taulant Balla në shtëpinë e tij. Ky është shteti i krimit miq, dhe shpresa e vetme jeni ju. Shpresa e vetme janë qytetarët në protestë.”– deklaroi Berisha.
Sistemi TIMS është regjistri i hyrje-daljeve apo “porta” kryesore e vendit. Aty evidentohet gjithçka, që hyrja e dalja nga vendi e politikanëve, diplomatëve, personave nën hetim.
Malaveci ishte një nga dëshmitarët më 16 Maj, në Komisionin Hetimor për Trajtimin e të Dhënave të Sistemit TIMS. Por Kuvendi ndërpreu transmetimin për shkak se informacionet që mund të diskutoheshin mund të përbënin sekret shtetëror.
Por kush është Tedi Malaveci?
Tedi Malaveci mban detyrën e Drejtorit Ekzekutiv të Qendrës Kombëtare të Trajnimit të Përmbaruesve (2021) dhe, atë të anëtarit të Komisionit Disiplinor të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë (2021-2025).
Por ai rezulton dhe si person me precedent penal, gjë që e ka fshehur kur po ngjiste shkallët e karrierës së tij në Shqipëri.
Në vendimin e gjykatës në Holandë, thuhet se në vitin 1997, Tedi Malaveci rezulton si një person që është dënuar me 1 vit heqje lirie me vendim të formës së prerë nga Gjykata Qendrore e Utrehtit dhe se ka vuajtur dënimin në burgun e sigurisë së zakonshme nga data 21 Maj 1997 deri në 26 gusht 1997, për veprën penale të trafikimit të substancave narkotike me emrin, Teodor Malaveci.
Pasi ka vuajtur dënimin dhe është riatëdhetësuar në Shqipëri, Teodor Malaveci, në datën 25 korrik 2003 ka ndërruar emrin e tij pranë Zyrës së Gjendjes Civile Njësia 9, duke bërë ndryshimin nga “Teodor Malaveci” në “Tedi Malaveci”.
Ndërkohë në vitin 2003, Malaveci ka ushtruar detyrën e oficerit të policisë gjyqësore pranë Prokurorisë së Tiranës dhe ka deklaruar se nuk ka qenë i dënuar më parë.
Duke fshehur dënimin, ai është pranuar në rradhët e OPGJ-ve të Tiranës, në kundërshtim me ligjin.
Në vitin 2004, Tedi Malaveci ka filluar të ushtrojë detyrën e përmbaruesit gjyqësor shtetëror për t’u emëruar më vonë si drejtor i përgjithshëm i përmbarimit,duke shkelur ligjin e vitit 2001 që ndalonte ushtrimin e kësaj detyre nëse ekzistonte një vendim penal i formës së prerë.
Po ashtu ai është çertifikuar si Përmbarues Gjyqësor Privat me liçensën Nr.23, në vitin 2010 në kundërshtim me ligjin.