Presidenti i Iranit Ebrahim Raisi është konfirmuar i vdekur pas një aksidenti me helikopter një ditë më parë.
Siç raporton agjencia e lajmeve shtetërore e Iranit IRNA, helikopteri që transportonte presidentit dhe zyrtarë të tjerë u rrëzua në një zonë malore dhe pyjore të vendit në mot të keq.
Disa zyrtarë të lartë iranianë humbën jetën gjithashtu në rrëzimin e helikopterit në pyllin Dizmar, që ndodhet midis qyteteve Varzaqan dhe Jolfa në provincën e Azerbajxhanit Lindor.
Zyrtarët e tjerë:
-Ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian
-Guvernatori i Azerbajxhanit Lindor, Malek Rahmati
-Përfaqësuesi i liderit suprem iranian në Azerbajxhanin Lindor, Mohammad Ali Ale-Hashem
-Shefi i gardës presidenciale Mehdi Mousavi
-Piloti, bashkëpiloti dhe ekuipazhi i helikopterit
Kur ndodhi përplasja, Raisi dhe kolegët e bashkëpunëtorët e tij po ktheheshin nga një takim me Presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev.
Ndërkohë në rrjet kanë dalë pamjet nga vendi i ngjarjes. Pamjet me dron tregojnë rrënojat e helikopterit në një kodër.
Kush ishte Ebrahim Raisi
Ebrahim Raisi ishte një klerik i linjës së ashpër i afërt me liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.
Ish-kreu i drejtësisë, Raisi erdhi në pushtet pas një fitoreje dërrmuese në një votim ku u përjashtuan shumë kandidatë të shquar të moderuar dhe reformistë dhe shumica e zgjedhësve zgjodhën të mos votonin.
Ebrahim Raisi lindi në vitin 1960 në Mashhad, qyteti i dytë më i madh i Iranit dhe shtëpia e faltores më të shenjtë myslimane shiite në vend. Në moshën 15-vjeçare, ai filloi të ndjekë një seminar në qytetin e shenjtë të Kumit.
Kur ishte student, ai mori pjesë në protesta kundër Shahut të mbështetur nga Perëndimi, i cili përfundimisht u rrëzua në vitin 1979 në një Revolucioni Islamik të udhëhequr nga Ayatollah Ruhollah Khomeini.
Pas revolucionit ai iu bashkua gjyqësorit dhe shërbeu si prokuror në disa qytete ndërsa trajnohej nga Ayatollah Khamenei, i cili u bë president i Iranit në 1981.
Koha e Raisit në detyrë u dominua nga protestat antiqeveritare që përfshiu Iranin në vitin 2022.
Ai gjithashtu u përball me thirrje të vazhdueshme nga shumë iranianë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut për një hetim mbi rolin e tij të dyshuar në ekzekutimet masive të të burgosurve politikë në vitet 1980.