Natë paniku – Tërmeti më i fortë në 40 vitet e fundit godet Napolin

Mbrëmjen e kaluar Napoli është goditur nga tërmeti më i fortë në 40 vite. Sikurse bëjnë me dije mediet italiane, në orën 20:10 janë ndjerë lëkundje me magnitudë 4.4, me epiqendrën e tij në zonën Campi Flegrei.

Në vetëm pak orë janë ndier 150 lëkundje (nga ora 19:51 e ditës së djeshme deri në orën 00:31 të mëngjesit të sotëm), duke e bërë të frikshme për qytetarët napoletanë të qëndrojnë në banesat e tyre, kështu që të gjithë dolën në rrugë duke e kaluar natën jashtë. Shumë gjetën strehë në makinat e parkuara larg ndërtesave.

Për të martën shkollat ​​u mbyllën në Bacoli, Pozzuoli, Qualiano dhe në disa zona të tjera të Napolit.

Në agim dhe për shkak të një rënie të papritur të temperaturës, duke sfiduar frikën e tyre, shumë veta vendosën të kthehen në shtëpi.

Por gjatë natës pati shumë momente tensioni.

“Këtë herë na pushtoi frika dhe ishte kaos.”- thotë Luigi. Në Lungomaren Pertini shumë njerëz e kaluan natën në makinat e parkuara. Kishte të rinj me qentë e tyre, kishte të moshuar, kishte fëmijë.

Luigi dhe Margherita morën makinën e tyre mbrëmë dhe në bord kishin vajzën 6-vjeçare dhe prindërit 90 dhe 84-vjeçarë. Margherita qan kur tregon se çfarë ndodhi: “Nuk mund ta shpjegoj, toka nuk pushoi së dridhuri, sikur kishte diçka poshtë gati për të shpërthyer”.

Ajo tregon se tanimë ka vendosur të shpërngulet nga vendi ku ka lindur sepse nuk e përballon dot më psikologjikisht: “Kësaj radhe mjafton, këtë herë po ikim vërtet nga këtu. Kam lindur në Pozzuoli, jam 47 vjeç, por këtu jeta është bërë e pamundur”.

Campi Flegrei është një zonë e madhe vullkanike në perëndim të qytetit të Napolit. Zona përfshin komunat: Napoli, Pozzuoli, Quarto, Giugliano në Campania, si dhe Bacoli dhe Monte di Procida. Një zonë me aktivitet të lartë sizmik dhe me vullkanin e Vezuvit afër, jeta për shumë njerëz si Margherita është bërë e frikshme.

Pastaj ka edhe shumë njerëz të zemëruar si Pasquale me mënyrën se si shumë njerëz e trajtuan situatën mbrëmë: “Por ju e dini që në shumë rrugë daljeje këtu ka kantiere ndërtimi me fibra, por a mendoni se është normale? Dje ishte kaos këtu. Njerëz ngasin çmendurisht, boritë që binin nga njerëzit që donin të parakalonin të tjerët. Po sikur kishte ndodhur gjatë ditës? Po sikur shkollat ​​të ishin hapur?”

Dyqanet po hapen dalëngadalë mëngjesin e sotëm, për të siguruar një ditë normale. Ndërkohë autoritetet kanë nisur të numërojnë dëmet: mermeret që janë shkëputur nga muret, çarjet nëpër banesa.

“Shtëpia ime i rezistoi tërmetit të vitit 1980 dhe të mëvonshmit, por sonte u krijuan çarje të pabesueshme.” – thotë pronari i një dyqani lulesh. Ai vazhdon: “Po, fjetëm në makinë, por më pas erdhëm e hapëm dyqanin. Duhet të vazhdojmë të punojmë. Na duhet të jetojmë”.

Kategori te tjeta

Artikuj te ngjashem

Ballinat e Tjera

Me te Lexuarat