Dhunohet avokati i Sali Berishës, Sokol Mëngjesi

Disa persona ende të paidentifikuar kanë dhunuar mëngjesin e sotëm me grushte dhe sende të forta avokatin e njohur Sokol Mëngjesi.

Sipas policisë ngjarja ka ndodhur rreth orës 8 e 50 në zonën e ish-bllokut, kur avokati sapo kishte lënë fëmijën në kopsht.

Fillimisht u raportua se Mëngjesi po merr ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhej në gjendje të stabilizuar, por tanimë në disa media raportohet se gjendja e tij është përkeqësuar dhe tanimë ndodhet në intubim.

Ndërkohë që policia po heton në lidhje me motivet e ngjarjes.

Si ndodhi ngjarja

Avokati që njihet dhe si një nga avokatët e ish kryeministrit Sali Berisha u dhunua nga tre persona në një zonë të populluar dhe të mbuluar nga kamerat e sigurisë, në ish-Bllok. Si dhe në një orar kur ka shumë lëvizje.

“Sot, rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, persona ende të paidentifikuar kanë goditur shtetasin Sokol Mëngjesi, me profesion avokat. I dëmtuari është dërguar menjëherë në spital për dhënien e ndihmës mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe strukturat e Policisë së Shtetit janë angazhuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve.”– informoi policia e Tiranës.

Nga çfarë kanë filmuar kamerat e sigurisë, thuhet se autorët kanë qenë të veshur me kapele dhe me rroba të zeza. Ata e kanë qëlluar Mengjesin me grushte, e kanë rrëzuar përtokë por edhe e kanë qëlluar me sende të forta.

Policia thotë se ka identifikuar njërin prej autoreve dhe ka ushtruar kontroll në banesën e tij por nuk e ka gjetur. 

Sulmi duket i planifikuar pasi autorët e dinin mirë që avokati çdo mëngjes linte fëmijën në kopsht dhe kanë gjetur pikërisht këtë moment për ta kapur atë në befasi.

Lidhur me ngjarjen ka patur shumë reagime, duke filluar nga Dhoma e Avokatisë, Universiteti i Tiranës ku jepte edhe mësim prej vitesh, si dhe shumë reagime nga politika.

Kategori te tjeta

Artikuj te ngjashem

Ballinat e Tjera

Me te Lexuarat