
Policia ka identifikuar 4 personat e dyshuar për dhunimin e avokatit Sokol Mëngjesi, mëngjesin e kësaj të mërkure.
Si autorë të ngjarjes janë identifikuar shtetasit: Dorian Alia (32 vjeç), Drivald Alia (21 vjeç), Elton Kasaj (33 vjeç) si dhe Romario Tabaku (26 vjeç). Drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj, tha se ky i fundit kishte si rol të ndihmonte tre të parët të largohen nga vendi i ngjarjes me makinë.
Nga këta, deri tani vetëm Dorian Alia është vetëdorëzuar ndërsa është shoqëruar edhe një person i pestë, i dyshuar si organizator i ngjarjes, Dritan Jani Nano (58-vjeç).
Sipas Vocajt, Sokol Mëngjesi është goditur për shkak të detyrës së tij si avokat, konkretisht në lidhje me një çështje pronësie për të cilën kishte punuar.
“Nga veprimet rezulton se Sokol Mëngjeis me profesion avokat është goditur për shkak të detyrës. Avokati ka përfaqësuar ligjërisht në një proces gjyqësor një familje që kishte të trashëguar një pronë në Tiranë, proces që është fituar nga pala që mbronte avokati. Ish-klientët nuk kanë pranuar që ta paguajnë.
Pala fituese nuk ka respektuar detyrimet kontraktore që ka pasur me studion ligjore. Jo e gjithë pala, por disa nga kontraktorët. Kjo degë që ka kryer sulmin nuk kanë rënë dakord me detyrimet që kanë pasur nënshkruar. Në vijim të veprimeve është shoqëruar Dritan Jani Nano, i cili u ndalua si organizator i kësaj ngjarje të rëndë kriminale.”- tha Tonin Vocaj, drejtor i policisë Tiranë.

Sipas Vocajt, autorët nuk janë të paguar, por ata kanë lidhje krushqie me njëri-tjetrin.
“Autorët nuk janë të paguar por autorët janë në lidhje krushqie me njëri tjetrin. Janë takuar një muaj më para, para se të ndodhte ngjarja dhe janë konsultuar për ngjarje”.- tha Vocaj.
Po ashtu, ai shtoi se Policia vë në dispozicion 20 mijë euro për këdo që jep informacion që çojnë në kapjen e autorëve që sulmuan avokatin Sokol Mëngjesi.

Avokati u dhunua në një zonë të populluar dhe të mbuluar nga kamerat e sigurisë mëngjesin e sotëm. Kamerat e sigurisë filmuan autorët të veshur me kapele dhe me rroba të zeza.
Sokol Mëngjesi njihet dhe si një nga avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha.



